Nëse presidenti Gjorge Ivanov nuk i jep mandatin qeverisës Zoran Zaevit, prej 20 majit gjithçka do të varet nga vullneti dhe veprimi i shumicës në Parlament, është ky ultimatumi i kryeparlamentarit maqedonas Talat Xhaferi.

Kreu i Kuvendit tha në një takim me gazetarët se në ditën e 11-të, do të caktojë seancën për formimin e qeverisë. Nuk kam nevojë të lus askënd, unë jam i detyruar ta pres Ivanovin deri në skadimin e afatit prej 10 ditësh, pastaj gjithçka varet nga shumica parlamentare, tha Xhaferi.

Gjithsesi ai nënvizoi se dëshira e tij është që të jetë presidenti që ndan mandatin për qeverinë e re, pasi në rast të kundërt shkelet qartazi kushtetuta. Tensionet në Maqedoni u përshkallëzuan fill pas zgjedhjes së Xhaferit në krye të Kuvendit, pak javë më parë. Mbështetës të VMRO-DPMNE-së sulmuan sallën e parlamentit, duke dhunuar deputetët.

Në mediat maqedonase u publikua kjo video e fundit, ku shfaqet një prej agresorëve që mban një armë në brez. Siç duket edhe nga pamjet, ai është në pritje të momentit të duhur për të nxjerrë armën.

 

Tv Klan