Pas Prokurorisë së Përgjithshme edhe Unioni i Prokurorëve shpreh shqetësimin se Reforma në Drejtësi ka futur në ngrëç sistemin, duke e cilësuar situatën si “të nderë”. Kjo, krijuar nga mosmiratimi i ligjeve organike në zbatim të ndryshimeve kushtetuese.

Sipas Kushtetutës së re, krijimi i Prokurorisë së Posaçme, e njohur ndryshe si SPAK, që do të hetojë zyrtarët e lartë kërkon një afat 8 mujor.

Duke pasur parasysh se asnjë ligj nga paketa e 7 ligjeve nuk është miratuar ka sjellë një vakum ligjor që mund të çojë në pushimin e disa qindra çështjeve hetimore.

Dosjat e zyrtarëve të lartë mund të pushohen për shkak të mbarimit të afateve hetimore. Mes tyre janë ajo ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, që akuzohet për korrupsion, Deputetit Tom Doshi, i cili dyshohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Drejt pushimit është dhe hetimi për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i cili akuzohet për falsifikim të formularit të Dekriminalizimit.

Edhe neni 178 i Kushtetutës, ku thuhet se ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar, sipas prokurorëve, është një rregull i përgjithshëm.

Sipas Unionit duhen miratuar sa më shpejt dispozitat kalimtare për të vijuar hetimet për zyrtarët e lartë dhe për të rregulluar punën e prokurorëve. Kushtetuta e re parashikon dispozita kalimtare për çdo institucion tjetër, por vetëm për prokurorinë nuk është bërë një zgjidhje e tillë.

Tv Klan