Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur hetim ndaj oficerëve që kishin dijeni për operacionin për arrestimin e ish-zyrtarëve të Policisë së Vlorës, të akuzuar si të përfshirë në trafikun e drogës në bashkëpunim me grupin e vëllezërve Habilaj.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte firmosur urdhër-arrestet për 3 ish-zyrtarë të Policisë së Vlorës. Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga organi i akuzës, por Tv Klan mësoi se janë shpallur në kërkim Jaeld Çela ish-drejtor i Policisë së Vlorës, Sokol Bode ish-komandant i postës së kufirit në Dhërmi dhe Gjergj Kohila ish-shef i hetimit të krimit të organizuar në Policinë e Vlorës.

Kërkesat e Prokurorisë kanë marrë aprovimin edhe të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe i kanë kaluar policisë për ekzekutim, por tre të kërkuarit nuk është arritur të kapen ende.

Kjo ka ndritur dyshimet se operacioni është dekonspiruar dhe SHÇBA ka nisur hetim ndaj të gjithë oficerëve që kishin dijeni për operacionin.

/tvklan.al