Nëna e Leos, djalit 9-vjeçar që nuk ecën dot, ka falenderuar kryeministrin Edi Rama për mbajtjen e premtimit që i kishte dhënë fundvitin e kaluar për t’i mundësuar një makinë për të shkuar në shkollë.

 “

Zoti Kryeministër Edi Rama ju falenderojmë me shpirt për dhuratën e djalit tonë Leo. Zoti jua shpërbleftë në të mira për familjen tuaj. Falenderojmë dhe të gjithë miqtë që kanë ndihmuar dhe qëndruar pranë për kaq vite me radhë… Zoti jua shpërbleftë të gjithëve ju miq

”, shkruan Anxhela në një postim në Facebook.

Me 31 Dhjetor Leo ishte tek “E diela shqiptare” në TV Klan ku Ardit Gjebrea lexoi letrën e tij për Babagjyshin. 9-vjeçari i ka treguar për mësimet, motrën e cila ka ardhur në jetë, por nuk ka harruar dhe kërkesat. Ai i ka kërkuar babagjyshit një makinë për të ikur në shkollë dhe një kukull për motrën.

Në këtë emision Kryeministri Rama u shfaq me rrobat e Babagjyshit dhe i dhuroi lodra për motrën, teksa i premtoi makinë për të shkuar në shkollë dhe një fizioterapisht që ta ndihmojë për shërimin e plotë dhe ngritjen e tij në këmbë.

Mëngjesin e së hënës, kryeministri Rama njoftoi nga Facebooku i tij se tashmë premtimi për makinë ishte mbajtur.

“Mirëmëngjes dhe me këtë moment të ditës së saponisur, duke përcjellë në shkollë Leon e vogël me makinën që i kërkoi Babagjyshit në letrën e tij, ju uroj të gjithëve një javë të mbarë”.

/tvklan.al