Në spitalet e Meksikës nuk ka më vend në morg për të vdekurit. Si pasojë e dhunës që buron kryesisht nga trafiku i drogës, dhjetëra të vrarë mbeten rrugëve çdo ditë, shumica të paidentifikuar. Në shtetin e Guerreros, morgu më i madh mund të mbajë deri në 200 të vdekur, por aktualisht janë vendosur mbi njëri tjetrin 600 trupa të pajetë.

Shkak sipas autoriteteve është bërë lufta agresive mes grupeve rivale të narkotrafikut për kontrollin e korridoreve të drogës me destinacion SHBA.  Narko-konfikti shkakton të paktën 10 të vrarë në ditë, ndërsa nga muaji janar deri tani numri i vitkimave ka arritur në 1920 persona. E njëjta situatë paraqitet edhe në Tijuana, në kufi me Kaliforninë ku numri i të vrarëve mes grupeve kriminale kundërshtare është 1500 për këtë vit.

Gjithsesi autoritet thonë se numri i viktimave duhet të jetë shumë më i lartë, pasi bosët e mafias zakonisht i djegin në acid apo i groposin në varre masive viktimat e tyre. Ata që përfundojnë në morg janë vetëm të vrarët që gjenden në cepat e rrugëve.

Klan Plus