Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe i treti në listën e kandidatëve për deputetë, në Listën e Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës, Vangjel Dule u është përgjigjur batutave të Kryeministrit Edi Rama nga qarku i Vlorës.

Banorëve të Himarës dhe Vlorës, Rama u tha se renditja e Vangjel Dules dhe Dashamir Tahirit në listën e Partisë Demokratike të Vlorës është një arsye më shumë për të mbështetur Partinë Socialiste në 25 qershor.

“Mos votoni Dashin e Havasë (Dashamir Tahirin) dhe Vangjelin e bakllavasë”,

tha Rama.

Përgjigjen, Dule e dha me anë të një mesazhi të dërguar në celularin e gazetarit Arian Çani, në emisionin “Zonë e Lirë”, në Televizionin Klan.

“Vjen një mesazh nga një aleat i zotit Basha, Vangjel Dule, të cilit sot i është përmendur emri disa herë në Vlorë nga mitingu i socialistëve, i Rilindjes. Atje Edi Rama përveçse ka thënë ‘Dashi i Havasë, ka thënë edhe Vangjeli i Bakllavasë, disa herë…Vangjeli thotë: ‘E vërteta është se Rama më ofroi disa herë bakllava dhe po kaq herë e refuzova, arsyeja është se kishte shije të theksuar turke’

”, tha Çani./tvklan.al