Petrit Vasili shprehet se ndaj votuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim u ushtrua dhunë e terror në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës. I ftuar këtë të mërkurë në “Opinion”, kreu i LSI tha se pas kësaj dhune qëndron Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Sipas Vasilit ky presion ndaj votuesve erdhi pasi socialistët ndodheshin në një situatë të pa favorshme, për shkak të rritjes së ndjeshme të LSI.

Vasili solli në vëmendje disa raste dhune, pas së cilave sipas tij qëndrojnë bandat e PS. Ndër to ai përmendi edhe një rast në Berat, ku një i ri, sipas Vasilit u rrëmbye pas takimit që kishte patur me Ilir Metën.

“Faktet janë publike, ai i Pukës, ku u goditën dy gra, Shëngjini që ndodhi në sytë e të gjithëve, Lezha ku ka qenë dhe vetë Ilir Meta. Rasti i Beratit, të premten para zgjedhjeve ku u rrëmbye një i ri pas një takimi që Meta pati atje. Është kthyer Meta mbrapsht për ta liruar, sepse një bandë e kishte rrëmbyer djalin menjëherë pas takimit me Ilir Metën. Të gjitha këto janë të vërteta. Rasti tjetër ishte rasti i Kuçovës, është më video, u futën në zyrën e partisë atje. Ishte rasti i Elbasanit, u qëllua me levë e lopatë një i ri, është edhe me video, vetëm se pohoi se votonte LSI. Kjo mund të jetë vetëm 1 e 50 apo e 100 -ta e mijëra rasteve”.

Sipas Vasilit strategjia ishte e paracaktuar dhe kishte filluar muaj më parë, por precipitoi në muajt e fundit.

Kreu i LSI tha më tej se ka zhvilluar takime me të gjithë ambasadorët e akreditur në Shqipërirë, si dhe ka njoftuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjitha këto raste, që LSI i ka dokumentuar.

Bandat dhe policia kanë qenë një në zgjedhje

Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka akuzuar se “bandat dhe policia kanë qenë një në zgjedhje” në të gjithë territorin e vendit, gjë e cila sipas tij ka ndikuar edhe në rezultatin përfundimtar.

Ai tha se simpatizantët e LSI-së ishin kërcënuar se do u hiqeshin familjarët nga puna.

Ishte deri këtu strategjia saqë arritën të kërcënonin se do ju heqim nga puna familjarët tuaj, të cilët mund të mos ishin fare votues të LSI. Së dyti, ka pasur një strategji të gjerë ndaj votuesve të LSI për të mos marrë pjesë në votime. Së treti, ka pasur një strategji dhune mbi të cilën, bandat dhe elementë kriminalë kanë qenë njësh me njëri – tjetrin, e shpërndarë në mënyrë proporcionale në të gjithë territorin

”, tha Vasili, duke shtuar se këto ishin denoncuar edhe në prokurori.

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) mori më rriti numrin e saj të deputetëve nga 16 në 19 në zgjedhjet e së dielës, por për herë të parë pas tetë vitesh e shikon veten në opozitë pasi Partia Socialiste e Kryeministrit Rama fitoi më 74 mandate, mjaftueshëm për të krijuar qeverinë e vetme.

Pas përplasjeve të muajve të fundit mes dy forcave që kanë drejtuar Shqipërinë në koalicion përgjatë katër viteve të fundit, Kryeministri Rama duke folur në media javën e kaluar përjashtoi çdo mundësi koalicioni me LSI-në pas zgjedhjeve./tvklan.al