Petrit Vasili, në cilësinë e kryetarit të ri të Lëvizjes Socilaiste për Integrim deklaroi në një konferecnë për shtyp se paketa që propozoi Zv/presidenti i Partive Popullore Europiane, David MCAllister është realiste dhe i shërben zgjidhjes së krizës politike. Sipas Vasilit, ajo paketë i jepte garanci të shumta demokratëve për të hyrë në zgjedhje.

Kryetari i LSI ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e forcës politike që drejton për të lënë postet në qeveri, nëse kjo do t’i shërbente zgjidhjes së krizës dhe zgjedhjeve të lira dhe me standarde.

***

14:27 Vasili: LSI pro çdo propozimi që zgjidh krizën

Në daljen e tij të parë publike, në cilësinë e kreut të LSI, Petrit Vasili tha se zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme pasi vetëm në këtë mënyrë ato mund të prodhojnë legjitimitet.

Ai tha se kriza në vend nuk mund të fshihet, ndërsa theksoi se për zgjidhjen e saj kërkohet maturi dhe largpamësi. Vasili u shpreh se LSI është në dispozicion për çdo zgjidhje që do të garantojë zgjedhje me standarde europiane.

“Është një situatë krize politike, këtë nuk kemi arsye përse ta fshehim. Kjo krizë kërkon maturi dhe largpamësi, për të kuptuar se çfarë efekti kanë veprimet e sotme për të ardhmen e vendit. Ndaj ne e kemi inkurajuar dhe kemi qenë në dispozicion të çdo zgjedhje që siguron zgjedhje të lira e të ndershme e me standarde të gjithë pranuara. Kjo do të thotë konsolidimin demokratik i vendit dhe siguron hapjen dhe jo izolimin e Shqipërisë. Ky ka qenë dhe mbetet qëndrimi ynë

“.

Propozimin që Kryeministri Edi Rama i bëri një ditë më parë PD, Vasili e vlerësoi si realist.

“LSI nuk ka qenë pjesë e këtij propozimi, ai ka qenë mes PS – PD. Në vlerësimin tonë ka qenë një variant realist që kishte hapësira për gjetjen e një zgjidhje të krizës. I jepte garanci PD dhe unë mendoj se sërish do të ishin të mirëpritura dhe të besuara nga të gjitha palët, që Partitë Popullore ta thonin fjalën e tyre. Sa i takon LSI, po ju ripërsëris, stabiliteti i vendit, e ardhmja e tij, që lidhet me faktorin për zgjedhje të lira dhe të ndershme kërkon dhe do të kërkojë sakrifica”.

Më tej, kreu i LSI ritheksoi edhe një herë se rezultatet e zgjedhjeve nuk kanë rëndësi, nëse ato nuk janë të lira e të ndershme.

“Asnjë rezultat i zgjedhjeve nuk ka asnjë rëndësi në momentin që flasim, sepse momentalisht ka rëndësi se çfarë zgjedhjesh do të kemi, a do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në sistemin demokratik që po luftojmë të ndërtojmë pa i dhënë një përgjigje kësaj, ky proces nuk mund të arrihet. Vetëm zgjedhje të gjithë pranuara dhe të pastra mund të prodhojnë reforma. Këtu duhet të jetë fokusi për të përdorur çdo hapësirë, çdo minutë, çdo mik të huaj apo vendas, çdo kapital konstruktiv që ekziston, vetëm e vetëm që të arrijmë në një stabilitet”.

/

tvklan.al