Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tha sot se marrëveshja Rama-Basha nuk e demonton në asnjë aspekt LSI-në dhe se kjo parti do të dalë forcë e parë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Vasili foli në një konferencë për shtyp nga selia e partisë vetëm një ditë pas publikimit të detajeve të marrëveshjes Rama-Basha për zgjidhjen e  krizës politike në vend dhe pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Ditën e djeshme ish-kryetari i LSI-së dhe presidenti i zgjedhur Ilir Meta tha se detajet e marrëveshjes i kishte mësuar nga media.

Vasili tha se LSI ka punuar për një marrëveshje për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje dhe beson më shumë se kurrë “se do të jemi forcë e parë politike” pas zgjedhjeve.

Sigurisht, ne na vjen keq që u është mohuar e drejta e përfaqësimit dhe e pjesëmarrjes në koalicione sipas standardeve të Kodit Zgjedhor disa partive, që përbën një problem realisht lidhur me demokracinë e përfaqësimit dhe zgjedhjen e mënyrës së konkurrimit në mënyrë të pavarur të forcave politike.

LSI, qartësisht nuk ka asnjë përgjegjësi politike për këtë gjë. Megjithëse kjo nuk e cenon absolutisht LSI-në, në asnjë pikëpamje dhe në asnjë koncept, megjithatë ajo ka mbështetur krijimin e hapësirave sa më të plota, sa më të gjera të përfaqësimit dhe zgjedhjeve në respekt të ligjit, të partive politike dhe përfaqësimit sa më të shëndoshë dhe real të tyre. 

Por, për fat të keq kjo gjë nuk ndodhi.

I pyetur nëse mos pyetja e LSI-së për marrëveshjen dëmton koalicionin qeverisës, Vasili tha se “

thelbësore është që ne sot kemi një marrëveshje politike që ka mundësuar garë elektorale të barabartë, ka mundësuar që ne të shkojmë në zgjedhje dhe ka mundësuar sigurinë e njohjes së institucioneve që dalin prej tyre. Të gjitha detajet e tjera janë krejtësisht të parëndësishëm

”.

Vasili tha se është shumë e rëndësishme që “

ajo që insistuam që në ditën e parë të kësaj krize me çdo mjet dhe me çdo sakrificë për të realizuar zgjedhje gjithëpërfshirëse u realizua

”./tvklan.al

Deklarata e plotë: 

Sot jemi një ditë pas arritjes së marrëveshjes politike. Një marrëveshje, që ka sjellë më shumë qetësi për vendin, por ka siguruar edhe pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 25 qershorit. Dihet botërisht që LSI bëri çdo gjë dhe ofroi gjithçka që kjo krizë absurde të zgjidhej dhe do të evitohej katastrofa dhe qorrsokaku shumë i rrezikshëm, ku do të hynte vendi nëse do të bëheshin zgjedhje të njëanshme dhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Pavarësisht tejzgjatjes tërësisht artificiale të zgjidhjes së kësaj krize është e rëndësishme që ne më së fundmi do të kemi zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe rreziku i kaosit dhe i pasigurisë u evitua.

Tashmë do të kemi zgjedhje më 25 qershor, kjo nuk diskutohet më. Tashmë vendimi dhe vlerësimi është tërësisht në duart e qytetarëve dhe këtë vendim suprem do ta marrin vetëm ata, duke vlerësuar qartë dhe prerë gjithçka ka bërë dhe çdo kontribut që ka dhënë çdo forcë politike në këtë moment delikat për vendin.

Sigurisht, me hyrjen e Partisë Demokratike do të kemi qartësisht një garë gjithëpërfshirëse dhe LSI ka punuar fort që kjo të ndodhë, në radhë të parë për të mirën e demokracisë, por edhe të legjitimitetit të institucioneve, por njëkohësisht edhe legjitimitetit të një gare, e cila do e kishte të cenuar atë në rast se do të kishim një pjesëmarrje të njëanshme.

Sot pra qartësisht do të kemi një garë të barabartë, mes tre forcave kryesore politike dhe LSI sot beson akoma më shumë se dje, se do të jetë me bindje të plotë dhe pa asnjë diskutim forcë e parë politike, pasi ajo përfaqëson si askush tjetër në këtë vend një forcë politike konstruktive, me integritet, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Cilësi themelore këto për të cilat ka nevojë më shumë se kurrë Shqipëria. Janë këto cilësi themelore të LSI-së që e motivojnë sot si asnjëherë më parë mijëra e mijëra të rinj anembanë vendit, që kanë qenë dhe janë edhe në sytë tuaj, si dhe mijëra  burra e gra, që duan dhe e vlerësojnë lart konstruktivitetin, pozitivitetin dhe gjithëpërfshirjen e LSI-së, cilësi pra, e përsëris, shumë të vyera e për të cilat qytetarët kanë aq nevojë.

Sigurisht, ne na vjen keq që u është mohuar e drejta e përfaqësimit dhe e pjesëmarrjes në koalicione sipas standardeve të Kodit Zgjedhor disa partive, që përbën një problem realisht lidhur me demokracinë e përfaqësimit dhe zgjedhjen e mënyrës së konkurrimit në mënyrë të pavarur të forcave politike.

LSI, qartësisht nuk ka asnjë përgjegjësi politike për këtë gjë. Megjithëse kjo nuk e cenon absolutisht LSI-në, në asnjë pikëpamje dhe në asnjë koncept, megjithatë ajo ka mbështetur krijimin e hapësirave sa më të plota, sa më të gjera të përfaqësimit dhe zgjedhjeve në respekt të ligjit, të partive politike dhe përfaqësimit sa më të shëndoshë dhe real të tyre.

Por, për fat të keq kjo gjë nuk ndodhi. Megjithatë, gara është përpara dhe kjo garë, sot, qartësisht, mua të parit, por edhe çdo anëtar të LSI-së, simpatizantë, mbështetës, votues që është bindur duke parë LSI-në të votojë LSI-në, që të realizojë objektivin e saj të padiskutueshëm, të patjetërsueshëm, pra objektiv unik, për të qenë forcë e parë në këtë vend.

Pasi ky objektiv vjen nga një vetëdije e fortë e brendshme e jona, që ky rezultat dhe ky pozicionim i LSI-së në vendin e parë, do ta ndihmojë shumë vendin të jetë më i qetë. Do ta ndihmojë politikën të jetë konstruktive dhe jo gjeneruese, prodhuese, ricikluese e krizave të njëpasnjëshme dhe do të ndihmojë e motivojë shqiptarët që vendi të jetë më i qetë, më pozitiv dhe më i dashur që ta ndërtojmë këtu të ardhmen dhe jo gjetkë.

Gjithashtu, ky është një mision për të qenë forcë e parë, pasi vetëm nëpërmjet këtij rezultati ne ua japim shansin të gjithë shqiptarëve, të gjithë të rinjve për një punësim dhe arsim më të mirë, por gjithë shqiptarëve të tjerë, për një mirëqenie më të lartë në mënyrë që dita e qetë të jetë e tyre, ashtu sikurse sot është një ditë e qetë, por ne duam dhe po punojmë që të gjithë ditët e shqiptarëve të jenë ditë më të qeta.

Pyetje nga gazetarët

Z.Vasili, keni deklaruar dje që jeni informuar nga mediat që nuk do të ishit më Ministër i Drejtësisë? Pra, aleati strategjik i z. Rama, LSI-ja, nuk është pyetur fare kur u arrit kjo marrëveshje. A ka më kuptim marrëveshja që ju keni me PS për të bashkëqeverisur, do të vazhdoni të rrini të treja partitë në këtë qeveri? Do t’i mbani ju sërish ministrat që keni?

Kryesore dhe thelbësore është një çështje dhe vetëm një. Ne sot kemi një marrëveshje politike që ka mundësuar një garë elektorale të barabartë, ka mundësuar që të shkojmë më të qetë në zgjedhje dhe ka siguruar një legjitimitet institucionesh që dalin prej këtyre.

Sigurisht, kjo ka mundësuar që të shkojmë te qytetarët dhe të vlerësohemi atje për atë çfarë themi dhe atë çfarë kemi bërë realisht dhe që janë në sytë tuaja. Të gjithë elementet e tjera janë krejtësisht të parëndësishëm.

Sot, i gjithë përqendrimi im personal dhe i LSI-së, nga i pari te i fundit, është pikërisht te këto objektiva. Të realizojmë një objektiv që është padiskutim forcë e parë dhe kemi bërë shumë mirë dhe jemi shumë të lumtur që, ajo që insistuam që në ditën e parë të fillimit të kësaj krize, pra që duhet të ecim me çdo mjet dhe çdo sakrificë për të realizuar zgjedhje gjithëpërfshirëse, u realizua.

Mbrëmë jeni cituar gjerësisht se keni deklaruar sa i përket çështjes së koalicioneve, e keni cilësuar si anti-kushtetuese faktin që nuk u është dhënë mundësia partive të garojnë përmes koalicioneve. Nëse ky citim i juaji në media është i saktë doja t’ju pyesja përse atëherë LSI-ja vendos të marri pjesë në një garë ku të paktën një element i kësaj gare e cilëson si anti-kushtetuese, ku është mohuar një e drejtë e tillë?

Pyetje e dytë është komentuar gjerërsisht nga analistët marrëveshja e bërë publike ditën e djeshme si nj hap i parë drejt një bashkëqeverisjeje mes PS-së dhe PD-së, doja një koment nga ana juaj për një skenar të tillë?

Me mirëkuptimin tuaj kam një koment të vetëm, shterues për të dyja pyetjet tuaja. Sot jemi në një situatë më të qartë politike, shumë më të qartë. Kemi një datë zgjedhjesh, kemi të gjitha forcat politike në fushë. Kemi një qetësi publike më të lartë. Kemi realizuar pra një objektiv. Të evitojmë, e thashë edhe një herë tjetër, kaosin dhe ecjen në drejtime të rrezikshme të vendit. Pra stabilitetit dhe sigurisë i kemi bërë një shërbim shumë të madh në atë që LSI ka pasur konstante që të ofronte gjithçka, të bënte çdo gjë që kriza të evitohej, duke ofruar edhe të gjitha pozicionet publike, deri dhe të rikthente pozicionin e Presidentit.

Tashmë garën e kemi dhe i gjithë përqendrimi im dhe i LSI-së nuk është në asnjë moment tjetër pasi marrëveshja është kryer, por të përqendruar pasi nuk e kam parë kurrë në 12 vitet e LSI-së, LSI-në të jetë forcë e parë dhe ta ndajë vetëm një hap nga formalizimi i saj në 25 qershor. Kjo çështje qëndron këtu, ky është një objektiv i patjetërsueshëm, energjitë janë të përqendruara në këtë pikë. Të gjithë të tjerat janë pastaj elemente besoj të parëndësishme.

Vasili a e konsideroni marrëveshjen PS-LSI të cenuar në mënyrë të njëanshme nga kryeministri Rama pasi ju hoqi pa ju pyetur një ministër dhe tre drejtorë?

Në këtë moment na ndajnë 36 ditë nga zgjedhjet. E rëndësishme është vetëm një gjë, të ecim përpara dhe të binim çdo qytetar që ka shumë mundësi se po të qeveriset ndryshe ky vend dhe LSI të jetë forcë e parë, ka një shans për shumë për ato që elemente thelbësore të përditshmërisë së tyre dhe të raportit që kanë në familje dhe me shoqërinë.

Të gjithë elementet e tjera, të gjithë diskutimet e tjera, nuk kanë asnjë lloj rëndësie dhe kanë rënë, pasi prevalon dhe është madhore vetëm dhe vetëm ky objektiv, ky synim dhe ky përqendrim i cili është më afër se kurrë ndonjëherë.

Vasili ju keni këtë objektiv të dilni forcë e parë në zgjedhje, me kë do të bashkëqeverisni duke bërë koalicion paszgjedhor, e kemi menduar?

Ne kemi menduar dhe po punojmë që të dalim forcë e parë politike. Ky është objektivi dhe këtë duam të realizojmë deri në 25 qershor. Të gjithë diskutimet dhe debatet e tjera do të zhvillohen pasi të kemi realizuar përfundimisht këtë objektiv nga i cili nuk do të kthehemi pas.

Një pjesë e marrëveshjes duket se shtrihet përtej legjislaturës aktuale dhe krizës aktuale që ka të bëjë dhe me përfshirjen e PD në zgjedhje, ka dy pika që flasin për një marrëveshje dhe legjislaturën e ardhshme për reformë zgjedhore dhe reformë kushtetuese. Duket sikur dy partitë më të mëdha kanë një dakordësi në parim për të prekur vetë themelet mbi të cilat qëndron shteti. Si e shikoni ju këtë gjë? Një marrëveshje e tillë, me nuhatjen që keni ju, a ju sjell ndërmend vitin 2008 kur dy partitë më të mëdha tentuan që të nxirrnin jashtë loje LSI?

Nga e gjithë marrëveshja politike më intereson dhe jam i përqendruar vetëm në një pikë, që kemi një datë përfundimtare zgjedhjes në 25 qershor dhe kemi mundësi që të garojmë si të barabartë. Gjë që ka qenë jo e mundur në të shkuarën. Tani më  jemi ne në fushë dhe qytetarët përballë nesh. Kam bindjen që këtë bashkëbisedim me qytetarët do ta fitojmë.

Kemi motive të jashtëzakonshme pasi kemi investuar pozitivitet dhe konstruktivitet, por edhe sakrifica nga vetja sa asnjë tjetër. Kjo ka qenë e gjitha në emër dhe në të mirë të vendit. Jam i bindur që do të vlerësohem. Jam i bindur tek zgjuarsia dhe tek mençuria e shqiptarëve.

Nuk kam asnjë mëdyshje në gjithçka që them dhe të jeni të bindur se do të shikoni një rezultat të cilin do të jetë aq spektakolar sa që edhe kur të kemi takime të përbashkëta do t’i kujtoni fjalët e mia dhe njëkohësisht  do të jepni të drejtë që i quaj krejtësisht të pa rëndësishme të gjitha konsideratat apo elementet e tjera politikë.