Letra e Komisionerit Hahn ka qartësuar më shumë shqetësimin e Ministrit të Drejtësisë, Pertit Vasili se Bordin e Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është antikushtetues dhe antiligjor.

Në një shkresë dërguar Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe ambasadorëve të SHBA e BE, Vasili thotë se shqetësimet e ngritura prej tij vazhdojnë të mbeten çështje të rëndësishme për analizë, diskutim dhe vendimarrje, sidomos nën dritën e fakteve të evidentuara nga letra e z.Hahn.

Ministri i Drejtësisë shprehet se komunikimi me Bashkimin Europian i mbajtur nga sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është në shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve të tjera pasi ai s’ka qenë i autorizuar nga një vendim kolegjal i Këshillit të Ministrave.

“Fillimisht, Qeveria Shqiptare, referuar pikës 2, të Nenit B, të Aneksit të Kushtetutës, si dhe ligjit “Për Marrëveshjet Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, detyrimisht duhet të kishte propozuar fillimin e negociatave për një marrëveshje ndërkombëtare, ku të përcaktoheshin konkretisht organizimi, funksionimi dhe detyrat specifike të ONM-së, si dhe marrëdhënia me institucionet shtetërore në Republikën e Shqipërisë.

Qeveria shqiptare nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë të nevojshëm dhe të detyrueshëm për nisjen e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Pra edhe kërkesa formale dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm, që referohet edhe në letrën e z. Hahn, rezulton të jetë jo në zbatim të Kushtetutës dhe një kërkesë e tillë nuk përfaqëson vullnetin e Këshillit të Ministrave, si organ kolegjial, në konstituimin e ONM-së, pasi edhe vetë Sekretari i Pergjithshëm i Këshillit të Ministrave, nuk gëzon asnjë funksion të veçantë sipas Kushtetutës, që t’i lejojë atij t’i kërkojë Bashkimit Europian të fillojë procedurat e konstituimit të ONM-së dhe fillimin e ushtrimit të funksioneve të saj.

Zyrtarët e BE-së referojnë të kenë komunikuar me Qeverinë e Republikës së Shqiperisë, por në fakt kanë komunikuar me Sekretarin e Përgjithshem të Keshillit të Ministrave, pa autorizimin nëpërmjet vendimarrjes së Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”.

Këto veprime, thotë Vasili, nuk gjejnë mbështetje kushtetuese, sikundër as vetë Bordi i Menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Bashkëpunimi i Bordit me vetë Operacionin, shprehet Ministri, bëhet në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare, e cila, detyrimisht duhe të kalojë në parlament. 

“Është i domosdoshëm një qëndrim shtetëror i shprehur nëpërmjet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për propozimin dhe miratimin e marrëvëshjes ndërkombëtare.

Kushtetuta flet qartë për ONM-në, por nuk ka asnjë përcaktim për Bordin e saj, i cili në të gjitha komentet, përfshirë dhe komentet që vijnë nga Bashkimi Europian, nënkuptohet apo konceptohet si i mireqenë. Ky është një qëndrim i pabazuar në Kushtetutë e ligj,

pasi institucioneve të papërcaktuara me ligj, nuk mund t’u jepen detyra dhe pergjegjësi, përndryshe veprimtaria e tyre do të ishte e atakueshme juridikisht, e diskutueshme dhe në këtë mënyrë do të dëmtonte edhe kredibilitetin publik të reformës në drejtësi”.

Pikëpyetje, Ministri i Drejtësisë ngre edhe për mënyrën e funksionimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është një organizëm, i cili mbështet, monitoron, mbikqyr procesin e rivlerësimit kalimtar, përzgjedh apo shkarkon vëzhguesit ndërkombetarë, por në asnjë rast nuk ka asnjë përcaktim në Kushtetutë se si do të konstituohej, si do të organizohej, si do të funksiononte dhe as ka përcaktuar praninë e një Bordi.

Si rrjedhim, është e paqartë se cilat janë detyrat e tjera të ONM-se apo edhe instrumentet e tjera që ajo do t’i duhet të aktivizojë për të realizuar misionin e saj”.

Ministri i Drejtësisë shprehet se as në Marreveshjen Administrative për Bashkëpunim, lidhur midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk gjendet ndonjë përcaktim apo dakordësi për ngritjen e një Bordi, por referohet vetëm vullneti për të venë në dispozicion ekspertët, që do të luanin rolin e vëzhguesit në përputhje me detyrat që Kushtetuta detyron, si dhe referohet projekti përkatës IPA, që do të mbulojë financimin e procesit të rivlerësimit. Ai thotë gjithashtu se detyra të caktuara dhe përbërje të ngjashme gjenden edhe në funksionimin e Bordit, por edhe në atë

Steering Committee

të Projektit IP A prej 10 milion euro, duke krijuar mbivendosje, të cilat nuk e ndihmojnë funksionimin. Për këtë arsye Vasili shprehet se reflektimi nga institucionet në këtë rast është i domosdoshëm.

Tv Klan