Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka përshëndetur vendimin për heqjen e taksës fikse (diritto fisso) dhe asaj të qarkullimit për transportuesit ndërkombëtarë të mallrave me Italinë.

Që nga data 20 shtator të gjithë transportuesit ndërkombëtarë të mallrave me Italinë, nuk do të duhet të paguajnë më tarifën prej rreth 200 eurosh për një udhëtim vajtje ardhje në Itali.

Vasili u shpreh se heqja e kësaj takse plotëson njëkohësisht edhe një kërkesë të biznesit fason, teksa ka falënderuar edhe Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës për kontributin e dhënë në mbështetjen e këtij biznesi, që gjeneron mjaft vende pune.

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI vlerësoi gjithashtu edhe Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, për rolin e të rëndësishëm që ka luajtur në bisedimet me palën italiane për arritjen e kësaj marrëveshjeje.

Në njoftimin e shpërndar për mediat, thuhet se ky vendim pritet të përmirësojë dukshëm dhe të rrisë më shumë shkëmbimet tregtare dhe të transportit me Italinë, që është dhe partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i vendit tonë. /tvklan.al