perimetTonelata me perime u shitën sot në tregun e shumicës së Lushnjes, ndonëse të paçertifikuara dhe të pakontrolluara. Laboratori i inaguruar 1 muaj më parë nga Ministri i Bujqësisë, i cili do të pengonte daljen nga ky treg të prodhimeve me përmbajtje të lartë pesticidesh apo fitohormonesh, nuk ka punuar as sot.

Tregtarët flasin për shitjen e 130 ton domateve e kastravecave, sasi këto që kanë përfunduar nëpër tregjet e Shqipërisë e që nuk dihet në ç’nivel i kanë kimikatet, stimulantët apo ngjyrosësit.

Vetë Drejtori i Teknologjisë Perimore të Lushnjes pranon faktin se fermerët përdorin stimulantë, ndonëse në nivele jo shqetësuese sipas tij.

Drejtori flet edhe për një sistem vetërregullimi mes bimës dhe sasisë së stimulantëve.

Por ky sistem vetërregullimi funksionon vetëm për stimulantët. Për pesticidet apo kimikatet e tjera është e domosdoshme kryerja e analizave. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti pranoi të martën se laboratori i Lushnjes nuk është vënë ende në punë, afro 1 muaj pasi kishte thënë të kundërtën.

Sot në një shkrim në të përditshmen “Mapo” thotë se ai ka instaluar kapacitete analitike në këtë laborator. Drejtori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare u shpreh dje se asnjë analizë nuk kryhet në këtë laborator.

Kjo kakofoni deklaratash ka shkaktuar një amulli të pazakontë në tregun e shumicës së fruta perimeve të Lushnjes, më të madhit në vend, që mbledh edhe prodhimet e Fierit, Beratit, Rrogozhinës e Kavajës.

Disa nga fermerët mbajnë mend që ministri Panariti u tha se laboratori funksionon kur e inaguroi atë afro 1 muaj më parë.

Disa të tjerë vënë si garanci fjalën e tyre, për shkak se laboratori nuk i kryen analizat.

Dikush tjetër ëshë gati të sakrifikohet për të dalë garant se domatja nuk është e ndotur, ndonëse nuk e bën.

Ndërsa ndonjë tregtar test ka familjen e tij.

E gjithë kjo pasiguri për cilësinë e perimeve është pasojë e nxitimit të ministrit të Bujqësisë për t’i siguruar më kot fermerët, tregtarët dhe qytetarët se perimet do të kontrolloheshin nga Laboratori që ai inaguroi në Lushnje dhe të përgënjeshtrimit me shumë vonesë të kësaj deklarate po nga vetë ai, teksa tha se ky laborator nuk është ende i aftë për t’i kryer analizat.