38500 euro për person për të kaluar Mesdheun drejt Italisë. Kaq ishte çmimi që refugjatët duhej të paguanin për të lundruar të qetë dhe me kushte optimale në këtë jaht luksoz, 25 metra të gjatë. Mjeti u sekuestrua nga rojet bregdetare italiane një ditë më parë pranë brigjeve siçiliane. Në të ndodheshin 98 refugjatë sirianë e palestinezë. Rojet bregdetare u erdhën atyre në ndihmë, pasi jahti kishte ngelur në mes të detit, pas një defekti në motor. Udhëtarët thanë se kushtet e udhëtimit ishin mjaft të mira, duke pasur të garantuar ujin dhe ushqimin.

Autoritetet italiane arrestuan drejtuesit e peshkarexhës mbi 900 persona në bord që u fundos të dielën 70 milje larg brigjeve libiane. Njëri prej të arrestuarve është kapiteni, një shtetas tunizian. I arrestuari i dytë është ndihmësi i tij me origjinë siriane. Ata akuzohen për vrasje të shumëfishtë dhe favorizim të emigracionit të jashtëligjshëm.

Të dy ishin ndër 27 personat që i mbijetuan tragjedisë, të cilët mbërritën me anijet e shpëtimit, në orët e vona të së hënës në kampin e refugjatëve në Katania. Hetuesit siçilianë hedhin dyshime se ata e perplasën peshkarexhën me anijen portugeze, që u afrua për t’iu dhënë ndihmën e parë. Po sipas hetuesve, përplasja ndodhi për shkak të një gabimi në manovrim të tyre dhe panikut mes refugjatëve, të cilët duke u hedhur të gjithë në njërën anë të peshkarexhës, shkaktuan përmbysjen.

Tv Klan