Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të nxjerrë shkaqet e vdekjes së fëmijës 6-vjeçar, i cili ndërroi jetë para 3 ditësh në repartin e pediatrisë në QSUT.

Burime nga spitali thanë për TV Klan se fëmija me iniciale A.Z nuk ka ndërruar jetë si pasojë e gripit. I mituri ishte paraqitur në urgjencën e pediatrisë nga familjarët në gjendje të rëndë dhe me probleme kardiake.

6-vjeçari me origjinë nga Kukësi që jetonte në Sauk pasi mori ndihmë mjekësore qëndroi në reanimacion. Pas një dite ai ndërroi jetë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Policia e kryeqytetit ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së 6-vjeçarit. Dyshimet se i mituri mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e komplikacioneve nga gripi, u hodhën poshtë nga mjekët e QSUT-së, por do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të zbulojë dhe shkaqet e vdekjes së 6-vjeçarit./ TV KLAN