Autoritetet franceze po hetojnë vdekjen misterioze të dy shokëve, trupat e të cilëve u gjetën në bahçen e një shtëpie, pa shenja dhune.

Lucien Pérot, 69 vjeç, dhe Olivier Boudin, 38 vjeç, sipas BBC kanë vdekur ndërkohë që po hanin një vakt sëbashku.

Trupat e tyre u gjetën të enjten në bahçen e shtëpisë së 69 – vjeçarit, në Authon – du – Perche, rreth 150 kilometra nga jugperëndimi i Parisit.

Njëri qëndronte i ulur në karrige, ndërsa tjetri përtokë.

“Në trupat e tyre nuk kishte shenja të dukshme dhune. Paraprakisht rezulton se kanë vdekur në të njëjtën kohë”

, thanë hetuesit.

Trupat u gjetën nga një fqinje, e cila duke folur për mediat franceze tha se i kishte parë të dy miqtë duke ngrënë darkë në bahçen e shtëpisë një natë më parë.

Hetuesit thanë se po marrin në konsideratë disa hipoteza, përfshirë vetëvrasje të dyfishtë, helmim, apo edhe mundësi të tjera si vdekje e papritur e njërit që shkaktoi shok fatal tek tjetri./tvklan.al