Për 30 minuta mjekët obsteter-gjinekologë në gjithë vendin kanë protestuar në heshtje për të kundërshtuar arrestimin e dy mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni” Helidon Klosi dhe Dritan Deçka.

Pas shqyrtimit të materialeve hetimore Prokuroria vendosi ndalimin e mjekëve me akuzën “mjekim i pakujdesshëm” që çoi në vdekjen e një gruaje 35- vjeçare shtatzënë dhe foshnjës që priste të lindte. Por për kolegët e dy gjinekologëve, ky veprim është i nxituar, pasi ata kanë respektuar protokollet.

 “ Secili nga ne mjekët e këtij institucioni do të kishim bërë të njëtën gjë, siç kanë bërë kolegët tanë aktualisht të ndaluar. Kjo pasi siç rezulton patologjia që i mori jetën të sëmurës dhe foshnjes nuk kishte të bënte me shkaqe për të cilat ne mjekët obsteter gjinekologë jemi kopetent.

Nga hetimet paraprake të Prokurorisë rezulton se 35-vjeçarja Aida Çajka u kalua nga një spital në tjetrin për t’u rikthyer sërish pas 6 orëve në maternitetin “Koço Gliozheni” ku edhe ndërroi jetë mëngjesin e së premtes. Por mjekët thonë se kjo ishte rruga e duhur.

“Nuk mund të mbahej këtu, kishte nevojë për diagnozë të specializuar ne nuk kemi ekspertë për eko abdominal.”

Arrestimi i dy mjekëve gjinekologë erdhi pas hetimeve që nisën në bazë të denoncimit të familjarëve të viktimës.

Tv Klan