Kur Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vdiq javën e shkuar në New York, ai u bë diplomati i gjashtë rus që vdes në mënyrë të papritur që prej Nëntorit, duke shkaktuar një mori teorish konspirative në internet.

64 – vjeçari Vitaly Churkin u dërgua me urgjencë në spital nga zyra e tij e misionit rus në OKB më 20 Shkurt, pasi u sëmur papritur teksa ishte rrugës për në punë.

Fillimisht u raportua se Churkin mund të kishte pësuar arrest kardiak, por pas autopsisë, ekspertët thanë se vdekja e tij kishte nevojë për më shumë studim.

Kompania mediatike

Axios

thekson se, jo vetëm që vdekja e Churkin është e pa shpjegueshme, por është gjithashtu tepër e ngjashme me vdekjen e Ambasadorit rus në Indi, më 27 Janar, Konsullit rus në Athinë më 9 Janar dhe një diplomati rus në New York, ditën e zgjedhjeve në SHBA, më 8 Nëntor.

Të trija vdekjet e tjera u klasifikuan gjithashtu si “atak në zemër”, ose si pasojë e një “sëmundje të papritur”.

Dy diplomatë të tjerë vdiqën në të njëjtën periudhë, këtë herë për shkak të dhunës. Ambasadori rus në Turqi, Andrei Karlov u vra në Ankara në një ekspozitë fotografie, më 19 Dhjetor, të njëjtën ditë kur një tjetër diplomat, Petr Polshikov u vra në apartamentin e tij në Moskë.

Nga ana tjetër, një ish – shef i KGB –së, Oleg Erovinkin, i cili dyshohej se kishte ndihmuar një spiun britanik për të përpiluar një dosje mbi Donald Trump, u gjet i vrarë në pjesën e pasme të makinës së tij më 26 Dhjetor. Erovinkin kishte qenë gjithashtu ndihmës i ish – Zv/kryeministrit Igor Sechin, aktualisht drejtues i kompanisë shtetëtore të naftës Rosneft.

The Independent sjell kronologjinë e këtyre vdekjeve, që prej Nëntorit:

8 Nëntor 2016

Mëngjesin e ditës së zgjedhjeve në SHBA, diplomati rus Sergei Krivov, 63 – vjeç u gjet pa ndjenja në dyshemenë e Konsullatës ruse në New York, me plagë në kokë. Raportimet e para thanë se Krivov ra nga çatia dhe se kishte shenja dhune në trup. Por zyrtarët rusë e ndryshuan shumë shpejt historinë e tyre dhe thanë se kishte vdekur nga ataku në zemër.

BuzzFeed

raporton se sipas policisë, vdekja e Krivov dukej natyrale dhe çështja u mbyll shumë shpejt, por tre muaj më vonë, mjekët nuk janë ende të qartë sesi vdiq ai.

Nga ana tjetër, portali i lajmeve raporton se e ka patur tepër të vështirë për të zbuluar se çfarë bënte ekzaktësisht në Konsullatë Krivov. Sipas mediave ruse, ai mund të ketë qenë komandant konsullor në detyrë, që do të thotë se ishte përgjegjës për “parandalimin e sabotimeve” dhe parandalimin e “tentativave për vjedhje të sekreteve” në Konsullatë. E thënë ndryshe, të siguronte që agjencitë amerikane të inteligjencës të mos kishin sy e veshë në këtë ndërtesë.

19 Dhjetor 2016

Ambasadori rus në Turqi Andrei Karlov, 62 – vjeç, u vra në një ekspozitë fotografie në Ankara. Diplomati u qëllua nga pas, teksa po mbante një fjalim, nga një oficer turk policie, i cili sipas dëshmitarëve tha:

“Mos harro Aleppon! Mos harro Sirinë!”

Të njëjtën ditë, një tjetër diplomat, Petr Polshikov, 56 – vjeç, u gjet i vrarë me armë zjarri në apartamentin e tij në Moskë.

Ai ishte qëlluar në kokë dhe një armë u gjet pas wc –së, por detaje të tjera rreth vdekjes së tij nuk ka dhe besohet se hetimet vijojnë.

Polshikov kishte shërbyer në departamentin e Amerikës Latine të Ministrisë së Jashtme.

26 Dhjetor 2016

Ish – shefi i KGB Oleg Erovinkin, 61 – vjeç, i cili besohet të ketë ndihmuar një ish – spiun të M16, Christophet Steel të përpilonte dosierin e tij mbi Donald Trump, u gjet i vdekur në pjesën e pasme të makinës së tij Lexus, në Moskë.

Erovinkin ishte ndihmësi kryesor i Igor Sechin, ish – Zv/kryeministër dhe tashmë drejtues i Rosneft, kompanisë shtetërore të naftës, i cili sipas

Telegraph,

përmendet në mënyrë të përsëritur në dosje.

Raportimet në media, vetëm pak kohë pas vdekjes së tij sugjeronin se me siguri ai ishte vrarë, por më vonë u deklarua se kishte pësuar atak në zemër.

9 Janar 2017

Konsulli rus në Athinë të Greqisë, Andrei Malanin, 55 – vjeç u gjet i vdekur në dyshemenë e tualetit të apartamentit të tij nga një punonjës i Ambasadës, pasi nuk kishte vajtur në punë dhe nuk ishte përgjigjur në telefon.

Policia greke tha se nuk kishte shenja që tregonin se dikush kishte hyrë me forcë në shtëpi dhe të dhënat tregonin se vdekja e tij kishte ardhur për shkaqe natyrale. Malanin jetonte vetëm, në një zonë tepër të ruajtur. Hetimet për vdekjen e tij vijojnë.

27 Janar 2017

Ambasadori rus në Indi, Alexander Kadakin, 67 – vjeç, vdiq pas një sëmundje të papritur, të paktën sipas mediave indiane, të cilat citonin burime që thonin se diplomati kishte disa javë që nuk ndihej mirë.

Reuters

raportoi se Kadakin vdiq pasi i pushoi zemra, por më shumë se kaq, detajet të tjera nuk dihen.

20 Shkurt 2017

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin vdiq papritur në New York, pasi i pushoi zemra. Megjithatë, një mjek ekzaminues tha se është e nevojshme që të kryhen teste të toksikologjisë.

Burimi: The Independent 

Shqipëroi: tvklan.al