Një nënë 35 – vjeçare, shtatzënë në muajin e nëntë, ka ndëruar jetë bashkë me fëmijën që priste të lindte.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Aida Çajka, nënë e dy fëmijëve, ndërroi jetë si pasojë e hemoragjisë në shpretkë, teksa priste fëmijën e tretë.

Familjarët akuzojnë mjekët e maternitetit, se kanë neglizhuar rastin dhe nuk e kanë dhënë shërbimin në kohën e duhur.

Ata tregojnë se pas dyshimeve për probleme kardiake, mjekët e dërguan në QSUT, ndërsa këta të fundit dyshuan për ftohje dhe e dërguan në sanatorium. Ishin mjekët e këtij spitali, që përcaktuan hemoragjinë, por sipas familjarëve, ekipi i mjekëve të maternitetit sërish u vonuan në ndërhyrje.

Ministria e Shëndetësisë, me anë të një komunikate ka sqaruar se pacientja është paraqitur në gjendje të rënduar, ndërsa lëvizjet e saj në QSUT dhe më pas në Senatorium janë kryer nga autoambulanca, të shoqëruar nga mjek në bazë të protokolleve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në orën 05:00, pacientja është futur në sallën operatore, ku u konstatua hemoragjia, ndërsa u nxorr bebja e vdekur, ndërsa në 05:45 minuta ka ndërruar jetë edhe nëna.

Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje, që rezultoi fatale për 35 – vjeçaren dhe foshnjen e saj.

Tv Klan