Njeriu më i vjetër në botë, i cili pretendonte të ishte 146-vjeç – ka ndërruar jetë në një fshat në Javan Qendrore, në Indonezi.

Sodimedjo, i njohur po ashtu edhe si Mbah Ghoto, kishte lindur në Dhjetor 1870. “BBC” tha se ai pretendonte të ishte njeriu më i vjetër në historinë e njerëzimit.

Indonezia nisi t’i regjistronte lindjet në vitin 1900 – teksa më parë ka pasur gabime. Mirëpo, zyrtarët thanë për “BBC” se dokumentet e tij ishin të sakta.

Mbah Ghoto u dërgua në spital më 12 prill si pasojë e përkeqësimit të shëndetit. Gjashtë ditë më vonë ai këmbënguli të dilte nga spitali dhe të rikthehej në shtëpinë e tij.

Të afërmit e tij i thanë “BBC”-së se ai refuzoi të hante dhe të pinte pak ditë më vonë e kështu ndërroi jetë.

Kur ishte pyetur lidhur me sekretin e jetëgjatësisë së tij pak muaj më parë, Mbah Ghoto kishte thënë se “durimi” ishte çelësi dhe se ai kishte pasur njerëz pranë që e kishin dashur dhe ishin kujdesur për të.

Duhanpirës deri në fund, ai përcolli për në botën tjetër katër gra 10 vëllezër e motra nga nëna apo babai dhe të gjithë fëmijët e tij.

Në fshatin e tij ai ishte hero, i famshëm për tregimin e historive rreth luftës kundër Japonisë dhe kolonizatorëve holandezë.

Stërnipi i tij, Suryanto tha se Mbah Ghoto u varros të hënën në një varrezë lokale , në një pjesë toke të cilën e kishte blerë shumë vite më parë.

BBC thotë se nëse do të verifikohej në mënyrë të sigurt mosha e Ghoto-s, ai do të shpallej njeriu më jetëgjatë që ka jetuar ndonjëherë, duke lënë pas francezen, Jeanne Calment, e cila ishte 122-vjeçare kur vdiq. /tvklan.al