Vegjetarianët janë më pak të shëndetshëm sesa mishngrënësit.

Ky është përfundimi në të cilin ka dalë një studim i ri, sipas të cilit, pavarësisht se vegjetarianët konsumojnë më pak alkool e duhan dhe janë më aktivë se mishngrënësit, ata nuk janë aq të shëndetshëm nga sa mendohej.

Studimi i realizuar nga Universiteti Mjekësor i Grazit, në Austri, doli në përfundimin se regjimi ushqimor vegjetarian, i karakterizuar nga konsumimi i ulët i yndyrës dhe kolesterolit, për shkak të konsumimit të tepërt të frutave, perimeve dhe drithërave, rrit më shumë rrezikun për t’u prekur nga kanceri, alergjitë dhe sëmundjet mendore si depresioni dhe ankthi.

Studimi mori në analizë të dhënat nga një sondazh austriak mbi shëndetin tek 1320 persona, për të ekzaminuar mënyrën e të ushqyerit dhe të jetesës mes mishngrënësve dhe vegjetarianëve.

Rezultatet treguan se vegjetarianët konsumonin më pak alkool dhe kishin indeks më të ulët të masës trupore, megjithatë kishin përgjithësisht sistem imunitar dhe mendor më të dobët.

Në përfundim, studiuesit konkluduan se ata që ndjekin një regjim ushqimor vegjetarian kanë cilësi më të dobët jete dhe kanë më shumë nevojë për trajtim mjekësor. /tvklan.al