Qytetarët e kryeqytetit do të kenë korsi të dedikuara për levizjen më biçikleta. 

Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e 10 kilometrave korsi të dedikuara. Ky synim u bë publik nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi të zhvilluar me Ambasadoren e Hollandes, Deëi De Ëeerd, ku u prezantua edhe një studim i posaçëm mbi mundësitë e lëvizjes me biçikleta në Tiranë.

Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se një vëmendje e veçantë i është kushtuar promovimit të lëvizjes me biçikleta, jo vetëm si një mënyrë për të reduktuar trafikun në rrugët e Tiranës, por edhe si një lëvizje që nxit jetën e shëndetshme. 

“Kemi filluar me disa rrugë, si rrugët kryesore “Dritan Hoxha”, rruga “Gjergj Filipi” te Pallati i Kongreseve, rruga e “Kosovarëve”, pra të gjithë rrugët e reja po pajisen me një korsi të dedikuar biçikletash, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të kemi një rrjet, ndaj në buxhetin e këtij viti, kemi projektuar 10 kilometra korsi biçikletash, si një buxhet i veçantë në Bashkinë e Tiranës, si një buxhet që për mendimi tim duhet të vazhdojë të jetë çdo vit, pavarësisht se kush është kryetar bashkie, për të treguar se sa prioritet është kjo për qytetin”, bëri të ditur Veliaj. Ai theksoi se shumë shpejt do të fillojë përcaktimi i korsive për biçikletat në disa nga rrugët kryesore ekzistuese të kryeqytetit. 

“Do të fillojmë me aksin bulevardi “Zogu i Parë”, gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio; po kështu me rrugën e re të Kombinatit. Duke pasur një rrjet prej 10 kilometrash, besoj se mund të flasim seriozisht për kulturën e rikthyer të biçikletës në Tiranë”, shtoi Veliaj. Kreu i Bashkisë u shpreh se ndërtimi i korsive të posaçme të dedikuara për biçikletat është një investim afatgjatë dhe që do t’i shërbejë qytetit dhe qytetarëve në vitet që vijnë duke bërë një jetë më të shëndetshme” tha Veliaj./tvklan.al