Veliaj: 10 km rrugë të dedikuara për biçikletat dhe autobusët

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në akset kryesore të Tiranës dhe rikualifikimi urban i blloqeve të banimit do të jenë në fokusin e Bashkisë së Tiranës edhe për vitin 2017. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në analizën vjetore të punës së Ndërmarrjes Nr. 2 të Punëtorëve të Qytetit, ku theksoi se puna e nisur një vit e gjysmë më parë me përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe rrugore do të vijojë edhe këtë vit, për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve të Tiranës.

“Është shumë e rëndësishme që kemi filluar të adresojmë problematikat e qytetit që vitin e parë, edhe pse me një buxhet të kufizuar. Kemi shtruar 43 mijë m2 asfalt për të siguruar që rrugët kryesore janë të kalueshme, duke e sjellë Tiranën nga një qytet që i ngjante një vendi të pas luftës, në një qytet shumë herë më të jetueshëm. Do të vazhdojmë me këtë ritëm”, tha Veliaj. Ai theksoi se falë punës së bërë nga DPN2 dhe investimeve të Bashkisë së Tiranës, në shumë lagje të Tiranës është rritur vlera e pronës, çka përbën një përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët. 

Veliaj bëri të ditur se ndryshimi që po ndodh në Tiranë vjen edhe si pasojë e punës së Ndërmarrjes Nr. 2, e cila është e prekshme çdo ditë. Ai theksoi se një vëmendje e veçantë do të vazhdojë t’i kushtohet rikonstruksionit të trotuareve. “Unë do të doja që të vazhdonim me këtë ritëm dhe të siguroheshim që askush të mos ketë asnjë alibi për distanca të vogla, Tirana të jetë aq eksperiencë e këndshme për të ecur, sa askush të mos e çojë në mend të marrë makinën për distanca të vogla”, tha ai. Veliaj vuri në dukje punën e kryer për zëvendësimin e pusetave, të cilat për vite me radhë ishin kthyer një shqetësim real për banorët dhe shoferët e makinave.

“Kemi zëvendësuar 1700 puseta me kompozim plastikë-beton; pra, u desh të tregoheshim më inteligjentë se hajdutët për të gjetur një produkt, i cili sigurisht që kushton, por nuk ka vlerë të rishitet po të vidhet sepse nuk riciklohet. Sot na vjen për të qeshur, por para një viti e gjysmë ishte problemi numër një në qytet”, tha kryebashkiaku. Veliaj ftoi qytetarët që të përdorin mundësinë që ka ofruar Bashkia e Tiranës nëpërmjet teknologjisë për të sinjalizuar dhe denoncuar çdo problem që kanë në jetën e tyre të përditshme, sa i përket infrastrukturës. Ai falenderoi punonjësit e ndërmarrjes për punën e realizuar jo vetëm në përballimin, por edhe parandalimin e përmbytjeve në Tiranë, duke pastruar çdo ditë qindra puseta nga papastërtitë. 

Kryetari,Veliaj ftoi edhe qytetarët që të tregohen bashkëpunues dhe të mos ndotin ambientin, çka bëhet shkak për bllokimin e pusetave. “Këtu kemi nevojë edhe për pak ndihmë nga qytetarët; mijëra ton qese nuk na i sjell armiku imagjinar, por i bëjmë vetë”, theksoi ai. Kryebashkiaku bëri të ditur se Bashkia e Tiranës, duke filluar nga ky vit, do të bëjë të detyrueshme pagesën për çdo qese që merret në supermarket në mënyrë që të ndërgjegjësojë qytetarët që t’i përdorin ato sa më pak. “Po bëjmë një marrëveshje me supermarketet, që duke filluar nga kjo pranverë qeset në Tiranë do të bëhen me pagesë simbolike. Besoj se i kemi të gjitha shanset të kemi të njëjtin rezultat në Tiranë, jo për 5 lekëshin e qeseve, por për t’u dhënë njerëzve një dekurajim nga përdorimi i panevojshëm i tyre. Sot jemi vendi që përdor më shumë qese për frymë në Europë”, shtoi kryebashkiaku. 

Ai tha se falë punës së DPN2 sot Tirana është më e ndriçuar. Sipas tij, situata e ndriçimit në Tiranë është dyfishuar në krahasim me 1 vit e gjysmë më parë. “Më vjen mirë që kemi vajtur nga 36% në 76 % ndriçim. Jam i bindur se në fund të këtij mandati do të shkojmë në 100% të Tiranës së ndriçuar”, tha Veliaj. Ai vlerësoi punën e bërë nga kjo drejtori edhe sa i përket sinjalistikës në rrugë, duke theksuar se ajo e ka bërë qytetin jo vetëm më të bukur, por edhe më të jetueshëm. Kryebashkiaku tha se një vëmendje e veçantë këtë vit do t’i kushtohet zonave rurale, sidomos mirëmbajtjes së akseve rrugore, si dhe pastrimit të kanaleve.

Duke u ndalur në çështjen e transportit publik, Veliaj deklaroi se krahas shtimit të flotës së autobusëve dhe modernizimit të saj, është i rëndësishëm edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore, si dhe ndërtimi i korsive të dedikuara. “E nisëm me një flotë me 200 autobusë. Sot kemi 290 autobusë. Nisëm me një qytet që kishte 0 km rrugë të dedikuara, në një qytet që disa kilometra dhe disa akse kryesore po i bën të dedikuara për autobusët. Do të doja të vazhdonim kështu. Tashmë kemi pilotuar 10 km të tjera korsi të dedikuara për biçikleta dhe për autobusët, të cilat do të zbatohen këtë vit”, tha ai.

Falë këtyre përmirësimeve, Veliaj evidentoi se numri i qytetarëve që përdorin transportin publik krahasuar me ata që përdorin automjetet private është rritur ndjeshëm, duke shtuar se edhe zona që deri dy vite më parë nuk kanë qenë të mbuluara nga transporti publik, tashmë mund ta përdorin këtë shërbim, madje me një çmim edhe më të lirë. “Më vjen mirë që për disa zona rurale si Kashari, bileta nga 50 lekë ka rënë në 40 lekë, si dhe për rastin e linjës së Thesarit dhe Linzës, tani shkon autobusi. Por, ka nevojë për infrastrukturë. Vërtet kemi shtuar linja, por duhet të vazhdojmë me stacionet e autobusit”, tha ai.

Gjithashtu, Veliaj theksoi se do të vijojë puna me intensitet për mirëmbajtjen e qytetit dhe për disiplinimin e hapësirave publike./tvklan.al


Kategori
SocialeTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*