Katër muaj parashikohet të zgjasin punimet për rikonstruksionin e rrugëve në lagjen Shirt dhe Pezë Helmës në kryeqytet. Puna për ndërtimin e unazës që do tu vijë në ndihmë 4500 banorëve ka nisur.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë:

Sot është një ditë e mirë për komunitetin, fillon një unazë e cila kthen në rrugë një baltovinë 1.2 km, e cila në kohë shirash dhe ngricash ishte totalisht e pakalueshme, sidomos për fëmijët që shkojnë në shkollë dhe për ata që duhet të çojnë produktet e tyre ushqimore për t’i shitur në qytet.

Veliaj ka ripërsëritur premtimin se 2017 do të jetë vit investimeve në periferi.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë:

Nuk mund të kemi një bashki të Tiranës që zhvillohet me dy shpejtësi; njëra që ecën me shpejtësi më të madhe në qytet, dhe tjetra me shpejtësi më të vogël në fshat. Duhet të ecim të gjithë me të njëjtën shpejtësi, që t’ia vlejë jeta si në fshat, ashtu edhe në qytet.

Sipas materialit të shpërndarë nga zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës, aktualisht po punohet edhe në disa lagje periferike të kryeqytetit./ TV KLAN