Procesi i përzgjedhjes së administratorëve të pallateve është duke ecur me sukses në Bashkinë e Tiranës dhe brenda vitit do të përfundojë ngritja e të gjitha kryesive në lagje. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili mori pjesë sot në konferencën me temë  “Ndërtimi i axhendës për ndryshim: Shtrirja e strukturave komunitare në Shqipëri”, u shpreh se caktimi i administratorëve të pallateve do t’i japë zgjidhje problematikave të shumta që lindin prej bashkëpronësisë dhe jetesës në komunitet.

Ligj ka ekzistuar prej 10 vitesh, që kur u miratua nga qeveria e kaluar, por nuk u zbatua asnjëherë nga bashkitë. Kështu që, morëm një ligj i cili kishte nevojë për disa modifikime dhe sot kemi ngritur 1147 kryesi pallatesh. Vokacioni numër një i dikujt që jeton në qytet është që të jetë qytetar dhe fakti që 50% + 1 e banorëve të një pallati vijnë në asamblenë e pallatit për të caktuar kryesinë, e cila më pas do të vendosë për administratorin, është hapi i parë i një civilizimi shumë të pritur për jetesën në komunitet”

, tha ai.

Në konferencën e organizuar nga Ambasada e Zvicrës, “

LëvizAlbania” dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Veliaj deklaroi se brenda vitit do të përfundojë ngritja e të gjitha kryesive, e cila do të pasohet më pas me nënshkrimin e kontratave me administratorët e pallateve. “Do të shkojmë në fazën ku bashkia qendrore do të merret me çështje të nivelit makro dhe jo siç ndodh tani, ku kryetari i bashkisë merr letra edhe për dikë që parkon keq apo për saksitë e dikujt që kullojnë në ballkonin e fqinjit. Gjëra të tilla mund të duken banalitete, por ndikojnë në cilësinë e jetës së dikujt

”, u shpreh ai, duke shtuar se për të rregulluar jetën në komunitet, Bashkia e Tiranës ka ngritur edhe një strukturë tjetër, atë të ndërlidhësit me komunitetin.

Kryebashkiaku tha se në fund të kësaj jave, Bashkia e Tiranës do të nismojë grupin e parë të administratorëve të pallateve dhe projektet me bazë komunitare. “

Kemi hequr mënjanë një fond për rreth 200 projekte për komunitetin. Që do të thotë se përmes administratorit të pallateve, banorët mund të aplikojnë për të rregulluar fasadën e pallatit, për energji të rinovueshme, për panele diellore apo qoftë për efekte estetike, për të cilat bashkia do të paguajë gjysmën e investimit. Brenda kësaj jave do të bëjmë një shpallje publike edhe për fondin komunitar dhe kush nga komunitetet do të tregohet i gatshëm të bëjë një propozim, do të paguajmë qindarkë më qindarkë”,

nënvizoi kreu i Bashkisë.

Veliaj vlerësoi edhe reformën e re territoriale, e cila ka rritur jo vetëm sipërfaqen, por në të njëjtën kohë ka ndikuar edhe në mënyrën e menaxhimit të qytetit. “

Sot kemi një Tiranë, e cila është padyshim ndryshe nga Tirana e dy viteve më parë. Sot kemi një Tiranë që është 25 herë në sipërfaqe më e madhe. Nuk mjafton vetëm të investojmë në infrastrukturë, nëse nuk investojmë në kulturë. Besoj se kultura komunitare krijohet falë këtyre strukturave që propozojmë me këtë reformë të re territoriale”

, tha Veliaj, ndërsa solli shembuj të investimeve të suksesshme të realizuara për më pak se dy vite nga Bashkia e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë deklaroi se krahas investimeve madhore, një vëmendje është treguar dhe për përmirësimin e infrastrukturës nëpër lagje. “Në fund të ditës njerëzit nuk jetojnë në shesh apo në bulevard, njerëzit jetojnë te rrugica, te lagja e tyre, ku kërkojnë ndriçimin, pusetën, gjelbërimin, këndin e lodrave, një hapësirë për të moshuarit që të kalojnë kohën e lirë, bibliotekën e lagjes, shkollën, kopshtin, çerdhen në mëhallën e tyre e kështu me radhë”, deklaroi Veliaj.

Një tjetër çështje ku u ndal kreu i Bashkisë së Tiranës ishte edhe rritja e transparencës, Tirana është qyteti i parë në Shqipëri që ka ngritur një sistem online ku qytetarët mund të njihen me të gjitha të ardhurat apo shpenzimet.

“Kemi vendosur një standard të ri të transparencës. Kemi hapur një portal që quhet Open Data. Është një mënyrë që jo vetëm zbulohet si ke shpenzuar çdo qindarkë të bashkisë, por unë di ekzaktësisht se sa gjoba janë vendosur për parkim të gabuar, apo sa bebe kanë marrë mungesë në çerdhe javën e kaluar. Ne kemi nisur edhe disa praktika shumë të mira përtej Open Data, ajo që është buxheti me pjesëmarrje”,

deklaroi Veliaj.

Ambasadori zviceran, Christoph Graf deklaroi se ka ikur koha e ekstremeve të kolektivizimit të detyruar ose e individualizmit të egër dhe qytetarët shqiptarë duhet të veprojnë duke marrë përgjegjësi në nivelin vendor dhe duke punuar bashkë. “

Është koha për të patur një përputhje optimale midis asaj që është publike dhe asaj që është private. Unë besoj fort se një shoqëri e mire demokratike fillon në nivelin vendor, në qytetet tona, në fshatrat tona, dhe në lagjet tona”

, tha Ambasadori Graf. /tvklan.al