Në këto ditë të nxehta vere, fëmijët që vijnë nga familjet në nevojë po argëtohen në Kampet Verore të ngritura nga Bashkia e Tiranës.

Nën moton “Kam të drejtë të informohem”, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me organizata vullnetare, ka organizuar për herë të parë në një qendër sociale shtetërore një kamp veror, ku fëmijët kanë mundësi që për 20 ditë të trajtojnë dhe të diskutojnë në grup çështje dhe problematika që shqetësojnë këtë grupmoshë në jetën e përditshme, shkollë, familje dhe komunitet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua grupit të fëmijëve pjesëmarrës në kampin veror te këndi i lojërave te Liqeni Artificial, të cilët vijnë nga qendrat sociale, nga familje me ndihmë ekonomike apo që i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian. “Ky është vetëm njëri nga kampet që po organizojmë. Kemi kampe të ngjashme edhe në Pezë apo njësi të tjera, ku shumë prej fëmijëve po marrin shërbime nga Bashkia e Tiranës dhe mezi pres që edhe ky kamp të jetë sukses, ashtu siç kanë qenë edhe kampet e tjera”, tha kreu i bashkisë.

Veliaj garantoi se Bashkia e Tiranës do të jetë pranë njerëzve në nevojë, duke kontribuar përmes skemave të ndryshme në kapërcimin e situatave të vështira. Kryebashkiaku deklaroi se institucioni që ai drejton do të vijojë me hapjen e qendrave të reja sociale në zona të ndryshme të kryeqytetit.

“Siç kemi nisur me këto 4 qendra duke ofruar mensa sociale, ashtu do të vazhdojmë edhe me qendrat e tjera për t’u siguruar që në të gjithë territorin e Tiranës të ketë solidaritet dhe askush nuk mbetet pa ndihmën e bashkisë. Të sigurohemi që në qytetin tonë ka solidaritet dhe askush të mos kalojë një ditë pa pasur një vakt të ngrohtë”

, u shpreh ai.

Veliaj shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar përmes ndihmave të ndryshme apo punës vullnetare për funksionimin e qendrave sociale gjatë gjithë vitit. “

Dua të falenderoj shumë të gjithë ata anëtarë të komunitetit që punojnë, që bëjnë punë vullnetare, që japin kontribute qoftë me ushqime, qoftë me ndihma të tjera, duke ua bërë jetën disa të tjerëve shumë më të lehtë, duke u siguruar që qendrat tona sociale funksionojnë gjatë gjithë vitit, përfshirë edhe verën

”, theksoi Veliaj.

Kampit veror i janë bashkuar edhe shtatë vullnetarë të huaj nga vende të ndryshme të botës, të cilët janë akomoduar pranë Qendrës Sociale Multidisiplinare. Këta të rinj do të ndajnë eksperiencën e vendeve të tyre (Meksika, Spanja, Irlanda, Sllovenia, Republika Çeke, Belgjika etj), nëpërmjet aktiviteteve sociale, edukuese dhe argëtuese, të cilat zhvillohen me fëmijët.

Gjatë kësaj vere, Bashkia e Tiranës ka hapur disa kampe verore dhe në zona të tjera të kryeqytetit, ku fëmijët kanë mundësi që të argëtohen dhe të socializohen me njëri-tjetrin./tvklan.al