Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj firmosi peticionin e ndërmarrë nga shoqëria civile për Vettingun. Ai u ndal edhe tek çadra e opozitës e ngritur përpara Kryeministrisë dhe tha se një minorancë e vogël zhurmuese nuk mund t’i imponohet kësaj mazhorance të heshtur.

“Te këndi i lojërave u bë aq shumë zhurmë nga një grup i vogël njerëzish, saqë mendohej se kush bën më shumë zhurmë ka të drejtë. Kjo minorancë e zhurmshme, për disa ditë iu imponua shumicës së heshtur. Unë besoj se është i njëjti rast sot: një minorancë e zhurmshme në një çadër të ngujuar, po mundohet t’i imponohet një shumice të heshtur. Shumica e heshtur ka fjalën sot dhe besoj që do të kemi 1 milion firma për Vettingun, për Reformën, për t’u siguruar që gjykatat tona nuk janë një ankand dhe që familjet, qyteti, Bashkia, punët publike nuk bllokohen më nga këto ankande”

Veliaj u kërkoi qytetarëve që t’i bashkohen nismës së shoqërisë civile për mbledhjen e 1 milion firmave të peticionit pro vetting-ut për t’i hapur rrugë punëve në kryeqytet.

“Mjafton një firmë për të bërë 1 milion firma për Vettingun dhe t’i treguar botës mbarë se Shqipërisë i dalim zot vetë. Ashtu si tek lodrat, nuk do lejojmë që një grup i vogël njerëzish që bën zhurmë, t’i imponohet shumicës. Këtij grupi milionerësh mjafton t’u shihni makinat e parkuara te SHQUP-i, për të kuptuar se nuk janë aty për fukarenjtë, për varfanjakun, për nevojtarin. Janë aty vetëm për interesin e tyre. Ne na intereson interesi i Tiranës, i Bashkisë, i qytetit dhe i gjithë Shqipërisë. T’i dalim zot vendit, duke hedhur një firmë, për të treguar që shumica e heshtur dhe shumica e drejtë e do reformën, e do drejtësinë, e do Tiranën, e do Shqipërinë”.

Edhe pse janë bërë shumë punë në Tiranë, disa vendime të padrejta të  gjykatave tha kryebashkiaku Veliaj, kanë vonuar projektet për kryeqytetin që janë në shërbim të komunitetit./ TV KLAN