Veliaj: Kemi dakordësuar kredinë me BERZH për investimet në ujësjellës



Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, të organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Bonn të Gjermanisë. Rritja e financimeve në kuadër të përpjekjeve për të luftuar ngrohjen globale dhe promovimi i investimeve të gjelbra, ishin në fokusin e kësaj Konference, ku Tirana u përzgjodh si një shembull suksesi i bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe BERZH-it në financimin e projekteve miqësore me mjedisin dhe që ndikojnë në lehtësimin e problemeve klimaterike.

 Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që puna e bërë në këto dy vite, por edhe vizioni i Bashkisë së Tiranës për të investuar në projektet miqësore me ambientin, e kanë bërë që të merret si një shembull suksesi edhe në takime të tilla kaq të rëndësishme. “Jam shumë entuziast që Tirana është përzgjedhur nga BERZH-i si një histori suksesi për mënyrën se si ka transformuar administrimin e qytetit me një qasje më pozitive, më miqësore ndaj mjedisit, me korsi të dedikuara biçikletash. Jemi ende larg, megjithatë besoj se tashmë Tirana është një histori suksesi që meriton të vazhdojë në këtë drejtim”, tha Veliaj.

 Ai veçoi vendimin e Bashkisë së Tiranës për të testuar dhe për të revolucionarizuar të gjithë transportin publik në Tiranë, nga mjete me naftë dhe ndotëse të ambientit, në mjete tërësisht elektrike dhe ekologjike. “Ne kemi mbaruar me sukses testimin e autobusit elektrik në Tiranë dhe ky është një rast tjetër për t’u bërë apel të gjitha kompanive që janë sot operatorë, të fillojnë dhe të bëjnë porositë e tyre për autobusët elektrik. Ky është një apel për kompanitë që nuk ofrojnë shërbime në Tiranë, nëse kanë autobusë elektrikë qoftë me qira apo në pronësi dhe duan të vijnë të marrin një licencë në qytetin e Tiranës, ne automatikisht do t’i japim prioritet dikujt që sjell autobusë elektrikë krahasuar me dikë që ka autobusë me naftë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 Në të kundërt, ai paralajmëroi se nëse operatorët ekzistues të transportit publik në Tiranë apo edhe kompanitë e huaja nuk ofrohen për të sjellë në Tiranë autobusë elektrik, atëherë Bashkia e Tiranës do të ketë një kompani publike të vetën, që do ta ofrojë këtë standard. “Nëse asnjë prej të parave nuk ndodh, pra as ekzistuesit nuk rinovojnë flotën apo dhe të rinj nuk janë të gatshëm, atëherë Bashkia e Tiranës do të përgatitet t’i shkojë Këshillit Bashkiak me një propozim ku krijojmë një kompani publike për të sjellë autobusët elektrikë, për t’i sjellë vetë si Bashki e Tiranës. Besoj se këto janë risitë që të gjitha qytetet avangardë po i eksperimentojnë. Kjo është një nga arsyet pse duam të jemi qytet avangard, duke zbatuar këtë plan dhe këtë axhendë strikte përsa i përket çështjeve të mjedisit në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

 Gjithashtu, në kudër të politikave mjedisore ai shtoi edhe investimet e Bashkisë së Tiranës për shtimin e korsive të dedikuara për biçikleta. “Duke filluar nga viti tjetër do të kemi një pushtim të qytetit me korsi biçikletash, me sinjalistikë vertikale, do të vijnë 2 mijë biçikletat e para në mars dhe 2 mijë të tjera në prill për t’u siguruar që në gjithë qytetin kemi një mundësi me një kosto më të ulet se çmimi i biletës së autobusit, për të përdorur për 1 orë biçikletën nga një cep i Tiranës te cepi tjetër. Besoj që me të gjithë këtë paketë jemi sot një nga qytetet jo vetëm më të pastra nga ana e ndotjes, por edhe qyteti më avangard për sa i përket ruajtjes së mjedisit dhe përdorimit të një transporti efiçent”, u shpreh Veliaj.

 Ai dha një lajm të mirë që do prekë të gjithë qytetarët e Tiranë dhe në mënyrë të veçantë ata që jetojnë në zonën e Unazës së Madhe dhe Kasharit, dhe që ka të bëjë me furnizimin e ujit. Kryebashkiaku bëri të ditur se falë vendimmarrjeve të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës, UKT është kthyer në një ndërmarrje e besueshme nga bankat për të marrë kredi dhe për të kryer investimet e nevojshme në rrjet dhe kapacitetet përpunuese. “Sapo kemi dakordësuar me BERZH-in kredinë e parë, pas gjithë vendimeve të vështira që morëm për Ujësjellës Kanalizimet e Tiranës, sot jemi më të kreditueshëm dhe më të besuar nga ana financiare. Kjo na mundëson që të marrim një kredi fillestare brenda këtij viti për të bërë investimin që dyfishon sasinë e filtrimit nga Bovilla dhe sigurisht pastaj për të vazhduar me investimin që vjen nga Bovilla deri tek zona e Unazës së Re, një nga zonat problematike të kësaj vere”, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

 Kryebashkiaku evidentoi se me mundësitë për të marrë kredi por edhe me performancën e UKT-së do të bëhet e mundur që brenda 5 vitesh Tirana t’i japë fund problemit me furnizimin me ujë. “Me këtë kredi dhe me këtë ristrukturim që i bëmë UKT-së mundësojmë largimin e kësaj krize dhe një gangrenë që ka 27 vite që prek këto pjesë të Tiranës. Kjo është vetëm faza e parë, pastaj do të vazhdojmë me kreditë dhe investimet e tjera që të sigurohemi që qyteti e ka brenda 5 viteve paketën e investimeve që mundëson ujë 24 orë”, shtoi Veliaj./tvklan.al

 

Kategori
AktualitetLajmet KryesoreTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*