Tirana është sot një qytet disa herë më i pastër se një vit e gjysmë më parë, por për Bashkinë e Tiranës ka ende shumë për t’u bërë, duke nisur nga ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mos ndotur mjedisin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në analizën vjetore të Ndërmarrjes së Punëtorëve të Qytetit Nr.1, ku vlerësoi punën e bërë, sidomos sa i takon pastrimit dhe lirimit të hapësirave publike. Ai deklaroi se 99% e qytetarëve mbështesin dhe respektojnë rregullat për mbajtjen pastër të mjedisit, ndërsa vetëm 1% refuzon që t’i zbatojë ato.

“Fakti që Tirana është rritur dhe qytetin duhet ta ndajmë me 1 milionë njerëz, na bën të kuptojmë se duhet t’i forcojmë më shumë rregullat. Ndaj nuk do të hezitojmë të pastrojmë, por edhe të gjobisim e të kërkojmë llogari nga secili që e ndot qytetin”, u shpreh ai. Veliaj deklaroi se në bashkëpunim edhe me administratorët e pallateve, do të bëhet i mundur vënia para përgjegjësisë i atyre të cilët dëmtojnë hapësirat e përbashkëta. Ai theksoi se ndryshe nga vitet e mëparshme, ku qyteti ishte i mbuluar nga plehrat, është bërë një punë kolosale për rikthimin e higjienës dhe besimit të qytetarëve.

Por, krahas punës së përditshme me pastrimin e qytetit në mënyrë kapilare, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë edhe me masat sensibilizuese dhe parandaluese të ndotjes në qytet. “Vetëm dje kemi vendosur 268 gjoba për individë, për të treguar se qëllimi nuk është të mbushim arkën me gjoba, por për t’i dhënë një leksion se në Tiranë nuk e tolerojmë këtë. E dini që dje po numëronim 1000 goma që lihen nëpër rrugët e Tiranës? Vërtet armiku na e ka fajin për këtë? Ne “pushtohemi” nga gomat e plehrat përditë, që i hedhim vetë”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se askush nuk do të tolerohet kur dëmton apo ndot qytetin. “Vetëm këtë vit, sa herë që është bërë një protestë, ditë të shtunë, ditë të diel, përgatituni keni tjetrën në datë 18 shkurt, kemi pastruar plehrat e atyre që bërtasin kundër bashkisë dhe e lënë Tiranën zhul. Por, ama, në respekt të atyre që pastrojnë, edhe bashkia është sjellë ndryshe. Për herë të parë kemi një parti politike në Shqipëri të dënuar me vendim gjykate për ndotje , e cila duhet ta paguajë gjobën dhe do ta paguajë me përmbarim. Kjo ishte hera e parë në Republikën e Shqipërisë që gjykata gjobiti një parti për ndotje publike, për urinim publik dhe për abuzim me gjelbërimin. Unë besoj se kemi hyrë në një fazë të re për vendin. Në një fazë ku do të duhet nga partia, deri tek qytetari më i thjeshtë, të respektojnë hapësirën publike”, tha Veliaj.

Ai shtoi se deri më sot, krahas rritjes së përgjegjshmërisë në punë, në gjithë Tiranën janë bërë një sërë investimesh që krijojnë lehtësira për çdo qytetar për të respektuar ambientin e përbashkët. “Sot në Tiranë kemi vendosur 4000 kosha në total, kazanë të mëdhenj e të vegjël. Kur ishin koshat e hapur, disa njerëz thoshin, kështu të hapur, vijnë, tani që i kemi të mbyllur me valvul, thonë se valvula është shumë e ngushtë, mezi futet brenda; e zgjeruam prapë valvulën që të jetë me kollajtë”, shtoi Veliaj.

Sipas tij, vetëm në vitin e parë u liruan dhe iu kthyen qytetarëve si lulishte apo kënde argëtimi më shumë se 20 sheshe mes lagjeve. Por ky mision, tha kryebashkiaku, do të vazhdojë edhe këtë vit, për të liruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për t’ia kthyer atë qytetarëve. “Morëm vendime të rëndësishme politike, si Plani i Ri Urbanistik ië Tiranës. Plani i vjetër kishte kthyer 20 sheshe në troje për pallate, plani i ri jo vetëm që i riktheu lulishtet, por në fakt i shtuam vetëm parkut të Liqenit 25 hektarë. Vetëm te Liqeni kemi prishur sa e sa ndërtime pa leje, e sa të tjerë do të prishim akoma” shtoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi gjithashtu faktin se vitin që shkoi u arrit që në Tiranë të mbilleshin 1 mijë pemë në muaj. Ndaj, ai ka kërkuar që ky ritëm të mbahet edhe këtë vit, jo vetëm sa i përket pjesës së Pyllit Orbital, por edhe pemëve në lagjet dhe rrugët e Tiranës. “Në 4 vjet nuk u mbollën as 1 mijë pemë në Tiranë, kurse vetëm Ndërmarrja Nr. 1 i mbjell kaq pemë çdo muaj”, tha Veliaj.

Veliaj deklaroi se duke filluar nga ky muaj, në të gjithë autobusët po instalohet GPS-të, ku do të kontrollohet shpejtësia që ata ecin dhe vendndodhja e tyre në kohë reale. Në rast të shkeljeve, kryebashkiaku paralajmëroi operatorët e transportit se do t’u hiqet licenca./tvklan.al