Tiranë – Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja e sezonit të ri arsimor, Bashkia e Tiranës po përmbush një tjetër premtim të sajin, rikonstruksionin e të gjitha kopshteve të Tiranës. Sot ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i kopshtit të 16-të në Laprakë. Punimet e kryera falë bashkëpunimit me donatorët, u inspektuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shoqërohej edhe nga deputeti i PS, Rakip Suli. Pasi ka parë nga afër kushtet që ofron ky kopësht pas rikonstruksionit, Veliaj theksoi se falë mirëmenaxhimit të hapësirave është bërë e mundur që ky kopësht të presë 120 fëmijë të Laprakës.

“Bashkë me Fjonën, pamë kopshtin e ri e sapobërë, i 16-ti nga 23 që kemi nisur të rikonstrktojmë gjatë kësaj vere. Na kanë ngelur edhe 7 kopshte të tjera dhe mezi pres që t’i mbarojmë në kohë rekord. Besoj se deri në shtator, kur edhe shoqet e Fjonës të jenë kthyer nga pushimet, do t’i kemi mbaruar të gjitha kopshtet dhe për herë të parë po garantojmë që e njëjta cilësi që ekziston në një kopësht në Bllok, ekziston edhe në një kopësht në Laprakë, sepse të gjithë fëmijët janë njësoj”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai theksoi se është ndër prioritetet e punëve të Bashkisë së Tiranës që të ofrojë të njëjtin standard punimesh si në qendër, ashtu edhe në periferi, si një mënyrë për të krijuar të njëjtat mundësi për të gjithë banorët e kryeqytetit, përfshi këtu edhe fëmijët.

“Jemi siguruar që bashkë me inxhinierët tanë, me djemtë e vajzat fantastike që kanë punuar gjatë gjithë verës, të kemi të njëjtin standard si në periferi, si në qendër, për t’u siguruar që kushdo që rritet në Tiranë të ketë të njëjtin shans për të qenë i suksesshëm në jetë. Punohet në mënyrën më të lartë të standardeve që ka Bashkia e Tiranës dhe ku sigurisht do të vazhdojmë edhe me investime të tjera”, tha Veliaj. Sa i përket Njësisë Nr. 11 kryebashkiaku i Tiranës bëri të ditur se ajo është në vëmendje të bashkisë edhe në një sërë investimesh të tjera, përfshi këtu infrastrukturën rrugore.

“Investimi i radhës në Laprakë do të jetë një investim prej 4 milionë dollarësh, i cili do të rehabilitojë pjesën më të madhe të urbanistikës së zonës, për t’u siguruar që sa të bukur e kemi kopshtin, po aq të bukur ta kemi edhe lagjen”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës. Deputeti i zonës, Rakip Suli, falenderoi bashkinë për punën e kryer në këtë kopësht dhe theksoi se ajo është domethënia më e mirë e fuqisë që ka çdo votë e dhënë një vit më parë. “1 votë e juaja, kthehet në investim për fëmijët tuaj; kthehet në investim për rrugën, për trotuarin, për të gjitha problemet ditore që ka çdo qytetar aty ku banon e jeton”, tha Suli.

Kopshti nr. 28 në zonën e Laprakës i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë, përfshi sistemimet e jashtme, këndin e lodrave, këndin e ujit dhe rërës, mbjelljen e bimëve, drenazhimin e ujërave të shiut, si dhe sistemimin e gjithë pjesës së pasme të godinës. Gjithashtu, në ambientet e brendshme është sistemi hidraulik dhe sistemi elektrik, të cilët janë bërë nga fillimi, duke shmangur problemet që shkaktonin si me lagështirën ashtu edhe energjinë në kopësht, etj./tvklan.al