Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës, Kërraba ishte mikpritësja e radhës e festivalit “Ritet Pranverore”, ku morën pjesë disa grupe folklorike nga trevat shqipfolëse, si dhe i Bio-Fest, me punime artizanale dhe prodhime bujqësore të zonës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kryetari i Këshillit Bashkiak dhe i Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi dhe deputeti i PS, Xhemal Qefalia, vizituan punimet artizanale të mjeshtreve të zonës dhe prodhimet bujqësore të Kërrabës, të cilat falë rrugës së re e kanë më të lehtë të dalin në treg. 

Kryebashkiaku Veliaj ndoqi gjithashtu edhe festivalin “Ritet Panverore”, ku artistë nga nëntë grupe folklorike interpretuan një mozaik vallesh e këngësh tradicionale të zonave që përfaqësonin. Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se rruga e re e ndërtuar për këtë zonë, e cila dikur ishte lënë në harresë, do t’i japë një impuls të ri zhvillimi ekonomisë vendase. “

Ju falënderoj që këmbëngulët që rruga të kthehej në një prioritet kryesor për bashkinë, e cila u siguruar që në vitin tonë të parë të kemi një lidhje me Kërrabën. Kanë mbetur vendosja e sinjalistikës, vijëzimet, për ta mbajtur 100% premtimin që kemi dhënë për një rrugë me standarde. Është e vetmja mënyrë se si Kërraba mund të ndihet lagje e Tiranës, jo një periferi e humbur dhe as një vend jashtë vëmendjes

”, tha Veliaj.

 Ai theksoi rëndësinë për zgjedhjen e njerëzve energjikë dhe me vullnet për t’u shërbyer qytetarëve. “

Vetëm kur drejtojnë më të mirët, atëherë ecën përpara edhe Kërraba, edhe Tirana, edhe Shqipëria. Do të vij sërish këtu deri sa të kem mbajtur fjalën. Nuk ka rëndësi nëse më keni votuar ose jo, por është e rëndësishme ta shohim njëri-tjetrin në sy dhe fjalën duhet ta mbajmë

”, tha Veliaj, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes palëve është i rëndësishëm për të kurorëzuar me sukses një projekt, si ai te Pazari i Ri.

Mendoja se Pazari i Ri do të ishte një mision i pamundur. Megjithatë, punuan qindra vetë, gjetën gjuhën, bashkëpunuan, i dhanë dorën njëri-tjetrin, për atë xhevahir të bukur. Për pak do të hapim Bulevardin e Ri të Tiranës, një zonë tjetër që zhvillohet dhe zgjat qytetin drejt veriut, shumë afër Kamzës dhe Rinasit. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë se po të jemi bashkë nuk na thyen asgjë dhe mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Gjërat dalin më bukur kur bashkëpunojmë

”, tha ai.

Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që në 18 qershor të bëjnë zgjedhjen e duhur me qëllim vijimin me intensitet të punës për zhvillimin e të gjithë Tiranës. “

Në datën 18 qershor kemi dy mundësi: Një mundësi është gjumi, të flemë e të gërhasim prapë, të zëmë kolltukët dhe mos bëjmë asnjë punë; mundësia e dytë është që të vazhdojmë punën që kemi nisur në Tiranë, në Shqipëri, në Kërrabë, dhe në çdo cep të territorit. Është opsioni që të vazhdojmë të shkojmë në drejtimin e duhur. Sot nuk duhet të humbasim më kohë, duhet të fokusohemi te puna. Vetëm puna na çon përpara dhe në datën 18 qershor vetëm Edi Rama na çon përpara me punë në të gjithë territorin e Shqipërisë edhe në territorin e Tiranës

”, deklaroi Veliaj, duke shtuar se nëse të gjithë organizohen dhe orientohen në drejtimin e duhur, edhe punët e kryeqytetit dhe të Shqipërisë shkojnë mirë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i dorëzoi “Certifikatën e Mirënjohjes” Ansamblit Medvegja nga Lugina e Preshevës, për pjesëmarrjen me një nivel të lartë artistik në edicionin e festivalit “Ritet Pranverore”. Më pas, kryebashkiaku Veliaj u takua dhe me familjet e vjetra të Kërrabës, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e kësaj zone./tvklan.al