Në zbatim të Planit të Përgjithshëm Vendor, i cili e parashikon Tiranën si një qytet me disa qendra policentrike, një ekip i arkitektëve të Universitetit të Harvard-it, të cilët po bashkëpunojnë me studentë vendas, prezantuan sot 3 projekte konkrete të cilat do të marrin jetë në kryeqytet. Parku Qendror i Bulevardit të Ri, rikonceptimi i Kombinatit si poliqendra e parë e Tiranës dhe Fasadat e qytetit, janë tre projektet të cilat u diskutuan me ekspertë dhe grupe interesi.

 Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se pavarësisht debateve që ka pasur për projektet e deritanishme të Bashkisë së Tiranës, ato kanë rezultuar të suksesshme. Ai prezantoi shkurtimisht edhe tre projektet të cilat janë hartuar me kujdes nga ekipi i arkitektëve të Universitetit të Harvard-it dhe një grup studentësh të arkitekturës nga Shqipëria.

 Projekti i parë është projekti për Parkun Qendror te Bulevardi i Ri, një hapësirë e gjelbër, 6 herë më e madhe se Parku Rinia, i cili do të jetë mushkëria e re e kryeqytetit. “Projekti i parë, projekti “Ëilliam”, i cili është projekti i parkut qendror, te Bulevardi i Ri bën fjalë për një hapësirë, e cila është vendosur në të majtë të Bulevardit të Ri, duke filluar në 500 metrat e parë të bulevardit dhe mbaron deri tek km 1 e gjysmë, dhe është një hapësirë rreth 6 herë më e madhe se Parku Rinia, e do të krijojë parkun e ri qendror të qytetit. Është një hapësirë që është projektuar që tani si park dhe që tani është negociuar që të gjitha ndërtimet të zhvendosen në periferi dhe ajo hapësirë pranë Bulevardit të Ri të jetë një mushkëri e re për Tiranën. Pas sheshit Skënderbej dhe pas Parkut të Liqenit të Tiranës, atij të Farkës dhe të Kasharit, Parku Qendror do të jetë një nga pjesët më kreative të qytetit, pjesë që ka shumë vizione të reja të parqeve moderne që kemi parë nëpër botë dhe pasi të jetë debatuar mjaftueshëm, si Bashki e Tiranës do jemi gati ta financojmë në faza implementimi e parkut qendror”, tha Veliaj.

 Kreu i Bashksië deklaroi se pavarësisht debateve që shoqërojnë fillimisht projekte, falë punës ato janë kthyer në shembuj të suksesit. “Nuk e di a mjaftojnë librat e kësaj bote për të gjithë debatet dhe të gjithë sherrin me sheshin Skënderbej. Ja ku jemi sot, kemi çdo javë që bëjmë matjet e ndotjes së ajrit dhe na rezulton se i vetmi vend në Tiranë, ku ajri është nën normat e ndotjes së BE, është sheshi Skënderbej. Siç e shikoni, edhe sot që është vapë ka njerëz në shesh, jo më gjatë pasditeve dhe gjatë mbrëmjes që gëlon nga jeta dhe sidomos pjesët e parqeve rreth Muzeut Kombëtar”, u shpreh ai.

 Projekti i dytë është ai që ka të bëjë me idenë e poliqendrave të Tiranës dhe më konkretisht për rikonceptimin e zonës së Kombinatit. “Plani i Stefano Boerit parashikon një Tiranë me disa qendra, pra një qytet policentrik. Është folur shumë për këtë, tani ka ardhur koha ta bëjmë realitet. Kemi propozuar që Kombinati të jetë një qendër më vete, kemi propozuar që Lapraka të jetë një tjetër qendër më vete, Qyteti Studenti te Rruga e Elbasanit, Kinostudio gjithashtu. Në pamundësi për t’i filluar të gjitha njëherësh, kemi zgjedhur Kombinatin, duke filluar nga sheshi Garibaldi e deri te pjesët industriale që mund të akomodojnë edhe industrinë kreative. Fakti që kemi koncentruar aty disa shërbime, çerdhe të reja, kopshte të reja, shkollën e re “Betim Muço” që po mbaron, fakti që mbikalimi te Kombinati Ushqimor gjithashtu lehtëson trafikun, pra krijon një infrastrukturë të mjaftueshme për ta trajtuar Kombinatin si një prej poliqendrave të Tiranës, për t’u siguruar që jo çdo njeri duhet të vijë te sheshi Skënderbej për të marrë shërbime, por shumë prej atyre që do ta bënin jetën e vetëmjaftueshme në lagjen, mëhallën tënde do të mund të kryhen në Kombinat”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë deklaroi se Kombinati do të jetë një etalon që do të ndiqet më pas edhe për qëndrat e tjera në kryeqytet.

 Projekti i tretë lidhet me transformimin e projektit të fasadave të Tiranës nga një projekt ad-hoc, në një projekt afatgjatë. “Ideja ka të bëjë me transformimin e projektit të fasadave të Tiranës nga një projekt ad-hoc, që është bërë nga një kryetar bashkie që filloi, një që pastaj e ndërpreu fare sepse e kishte inat atë tjetrin që e filloi, dhe një tjetër si administrata jonë që po mundohet ta vazhdojë në mënyrë ad-hoc si te Pazari i Ri dhe si t’i japi kësaj një lloj uniformiteti, pra si të kthehet në një projekt afatgjatë. Pavarësisht se kush është kryetar bashkie, projekti i fasadave të Tiranës është një mënyrë për të zbukuruar shëmtinë sovjetike që trashëguam nga shumica e ndërtimeve në Tiranë, apo kaosin e ndërtimeve pa leje, apo të një urbanistike të viteve ‘90 komplet jashtë standardit dhe se si mund ta përkthejmë dhe ta shohim nga një problem, në një mundësi. Nëse fasadat e Tiranës tashmë janë kthyer në një kartolinë të qytetit, si të mundemi që të investojmë mbi këtë imazh që Tirana e ka pozitiv dhe e ka një lloj brendi global çështjen e fasadave dhe të ngjyrave të qytetit”, u shpreh Veliaj.

 Kreu i Bashkisë deklaroi se falë investimeve të bashkisë, prona sikurse është zona e Pazarit të Ri apo ajo në rrugën e Dibrës ka marrë një tjetër vlerë. Ai deklaroi se menjëherë pas këtij studimi, do të nisë puna për zbatimin e këtyre projekteve në punë konkrete. “Mezi pres që stafi i bashkisë që ka detyrën e zbatimit t’i përkthejë këto në projekte konkrete. Pra të fillojë menjëherë dizenjimin e Parkut Qëndror, të fillojë menjëherë mbjelljen në faza dhe menjëherë investimet që do të bëjmë në Parkun e ri Qendror; të fillojmë menjëherë rikonceptimin e Kombinatit si të parin projekt të një prej poliqendrave të Tiranës dhe pastaj për t’u siguruar që projekti i fasadave të qytetit, bashkë me ushtrinë e administratorëve të pallateve, bashkë me fondin e komuniteteve që po jep bashkia, të jetë një përpjekje serioze dhe e unifikuar për secilin kryetar bashkie, që qyteti të ketë mundësi që ta zhvillojë në afatgjatë”, tha Veliaj. /tvklan.al