Zona e Alliasit dhe Bregu i Lumit shumë shpejt do të furnizohen me ujë të pijshëm nëpërmjet rrjetit te ri që ka nisur të ndërtohet. Punimet janë inspektuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e përqendroi vëmendje situatën aktuale të krijuar nga ngricat.

“Tirana nuk ka pasur kohë të tillë të ftohtë që nga viti 1985, çka do të thotë se ngrirja e tubacioneve dhe shpërthimet që kemi pasur në sahate është një situatë e paprecedentë. Kam lënë porosi si aksioner kryesor i UKT, që ndërmarrja të përballojë me shpenzimet e saj zëvendësimin e të gjithë sahatëve në qytetin e Tiranës, që asnjë prej banorëve të mos impaktohet në xhepin e vet dhe financat e familjes për kushte të natyrës”.

Për të mos u përsëritur më të tilla situata, sipas materialit të dërguar nga zyra e bashkisë, kryebashkiaku është shprehur se me sistemin e ri të administratorëve në pranverë, verë dhe vjeshtë do të shikohet mundësia për të veshur tubacionet brenda pallatit si dhe sistemimin e kabinave ku janë sahatet./ TV KLAN