Konkluzionet e hetimeve të FBI që nxorrën të pastër Hillary Clinton për përdorimin e email –eve, nuk i ka pritur aspak mirë kandidati republikan Donald Trump, i cili nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të FBI.

Drejtori  i kësaj të fundit deklaroi të dielën se hetimet e reja për përdorimin e postës eletronike nga Clinton, kur ishte Sekretare e Shtetit, nuk gjetën asgjë për të ndryshuar konkluzionet e verës së Byrosë.

Zyrtarë të fushatës së kandidates demokrate thanë se ishin të kënaqur që kjo çështje kishte marrë më në fund një zgjidhje.

Rihapja e hetimeve për Clinton shkaktoi furtunë në fushatën presidenciale, në ditët e fundit të saj,

Sondazhet e së dielës, përpara se FBI të bënte të ditur lajmin sipas BBC tregonin një përparësi me 4 pikë të Clinton, ndaj Trump.

Nga ana e tij kandidati republikan pasi mori vesh vendimin e Byrosë shprehu hapur kundërshtimin e tij.

Gjatë një takimi me mbështetës në Detroit, Trump insistoi se është e pamundur që FBI të analizojë rreth 650 mijë email –e në një kohë kaq të shkurtër.

“Momentalisht ajo po mbrohet nga një sistem i manipular. Është një sistem totalisht i manipuluar, kam shumë kohë që e them”,

u shpreh Trump.

“Hillary Clinton është fajtore, ajo e di këtë, FBI e di këtë, njerëzit e dinë këtë dhe tashmë është në dorën e popullit amerikan që të vendosë drejtësi në kutitë e votimit më 8 Nëntor”,

vijoi ai më tej.

Teksa vetë Clinton nuk ka bërë ende një koment për letrën e drejtorit të FBI, përfaqësuesi i fushatës së saj tha se ajo kishte qenë gjithnjë e bindur se do të dilte e pafajshme./tvklan.al