IMEIVendimi i një dite më parë i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e vendimit të qeverisë për regjistrimin e kodit IMEI të celularëve të qytetarëve, si i papajtueshëm me Kushtetutën, nxorri në dritë edhe një problem tjetër.

Atë të mos pavarësisë ose më paku, të mosefiçensës edhe të institucioneve të tjera, të cilat objekti i punës ku operojnë, është pikërisht oponenca ligjore ndaj ligjeve apo VKM-ve të cilat mund të prekin sado pak interesat e qytetarëve.

Dy janë institucionet të cilat dolën bllof.

I pari, Avokati Popullit dhe i dyti, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Avokati i Popullit menjëherë pas shpalljes së asaj VKM-jë që u kundërshtua menjëherë nga shoqëria civile dhe opozita, i bëri bisht përballjes me qeverinë duke deklaruar se nuk është kompetencë e tij opononca ndaj këtij vendimi të qeverisë.

Këtë ai e deklaroi, pavarësisht, se me këtë VKM prekeshin direkt interesat e qytetarëve, pra Popullit, Avokat i të cilit ai është dhe paguhet nga taksat e tij.

Por, meqë Avokati i Popullit është në atë detyrë pikërisht si propozim i partisë që sot është në pushtet, ai zgjodhi në këtë rast, që duke heshtur, të mbroje partinë e tij dhe jo interesat e atij për të cilin e mban veten se është Avokat, pra Popullit.

Më rëndë akoma është situata e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ky është institucioni në varësi jo të qeverisë por të Kuvendit të Shqipërisë dhe pikërisht misioni konkret i punës së tij përkon eksluzivisht me mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

Interesa që u bënë të njohura nga shumë shoqata e personalitete të shoqërisë civile që bien ndesh me parimin bazë të të drejtave të qytetarëve, atë të mbrojtjes së të dhënave personale, siç ishte në këtë rast edhe kodi IMEI i celularëve, regjistrimi i të cilit sipas asaj VKM-je tashmë të pezulluar nga Kushtetuesja, mund të rrezikonte seriozisht këtë të drejtë.

Por i pyetur nga mediat, i sapo emëruar Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, socialisti i vjetër Besnik Dervishi, fare i qetë tha se kjo VKM nuk prek asnjë interes të qytetarëve.

Besnik Dervishi – Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (12 Gusht 2014):

“Qëllimi, qoftë i ligjit tonë, qoftë edhe i ligjit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave që krijon këtë bazë të dhënash me IMEI- t të celularëve, nuk është qëllimi për të abuzuar. Është qëllimi për të rregulluar disa fusha veprimatrie në të cilat mendohet se me aparatët e telefonave celularë është abuzuar. ”

Kjo është deklarata e z. Dervishi që paguhet për të mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve, por që variantin e tij në mbrojtje të vendimit të qeverisë, e hodhi poshtë dje Gjykata Kushtetuese, duke urdhëruar pezullimin deri në vendimin përfundimtar, që me shumë gjasë do të jetë hedhja poshtë e asaj VKM-je.

Por VKM-të apo ligjet edhe pezullohen apo hidhen poshtë.

Kjo ka ndodhur edhe më parë dhe sërish do të ndodhë.

Problemi është tek funksionimi i këtyre institucioneve si Avokati i Popullit apo Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të cilat paguhen për të qënë të pavarura dhe si oponentë të fortë të vendimeve apo ligjeve që mund të prekin sado pak interes të qytetarëve.

Rasti konkret tregoi se ata vetëm për mbrojtjen e interesave të qytetarëve nuk paskan punuar.

Tv Klan