Italianët në Lombardi e Venetos mbështesin pasivisht kërkesën për më tepër pavarësi nga Roma. Ishin referendumet e së dielës që vërtetuan dëshirën e qytetarëve, ndonëse qëllimi i votimeve ishte pa fuqi vepruese ligjore.

Në Veneto, 98% e votuesve i thanë “Po” kërkesës së hartuar me nismën e presidentit të rajonit Luca Zaia nga “Lega Nord”. Pjesëmarrja në votim ishte 60%, duke tejkaluar kuorumin e nevojshëm prej 40%, që një referendum të quhet i vlefshëm.

Në Lombardi, kuorumi nuk u arrit pasi pjesëmarrja në votim ishte rreth 34%. Megjithatë 95% e votuesve që morën pjesë i thanë ‘Po’ kërkesës për më tepër autonomi. Ashtu si në Veneto, edhe në Lombardi nisma ishte e presidentit të rajonit, po nga Lidhja e Veriut, Roberto Maroni.

Administratat e dy rajoneve të më të pasura të Italisë kërkojnë më tepër kompetenca në menaxhimin e financave lokale. Roma është e gatshme të ulet në tryezë bisedimesh, por nuk pranon të diskutojë çështjen e taksave.

Kreu i Lega Nord, Matteo Salvini e cilësoi referendumin e së dielës një leksion demokracie për të gjithë Europën. Mirëpo rritja e frymës së referendumeve për pavarësi në kontinent shqetëson jopak Brukselin. Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, tha se tendenca për krijimin e shteteve të vogla, siç është rasti i Katalonjës, duhet të merret me seriozitet nga Bashkimi Europian./Tv Klan