Venezuela iu përgjigj me një referendum plebishitar qëllimit të Presidentit Nicolas Maduro për të rishkruar Kushtetutën e vendit. Më shumë se 7 milionë vetë morën pjesë në referendumin jozyrtar, të organizuar nga opozita. 98.4% e votuesve u shprehën kundër qëllimit të Presidentit venezuelian.

Ndryshimet kushtetuese kanë ngjallur prej kohësh protesta të dhunshme në vend. Në rrugët e kryeqytetit Caracas, një grua mbeti e vrarë dhe 3 persona të tjerë u plagosën.

Opozitarët akuzojnë Presidentin Maduro se ka ngarkuar grupe paramilitare për shtypjen e protestave. Ata thonë se vota në referendum ishte prova e qartë se Nicolas Maduro ka rënë nga pushteti.

Presidenti venezuelian synon ngritjen e një Asambleje Kushtetuese, e cila do të kishte fuqi të plota të shkrinte parlamentin, ku opozita ka shumicën, si edhe të rishkruante nga e para Kushtetutën. Opozita bën thirrje për zgjedhje të parakohshme, pasi i druhet krijimit të një sistemi diktatorial në vend.

TV KLAN