Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka deklaruar se duhet të ketë një qëndrim të përbashkët për çështjen e shënimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Shënimi i kufirit është një çështje strategjike e cila forcon pavarësinë dhe identitetin e Kosovës

, shtoi ai.

Zëri i Amerikës: Meqë sapo dëgjuam disa komente mbi politikën e jashtme për Ballkanin. Çfarë politikash drejt Ballkanit prisni të mbajë administrata e ardhshme?

Kadri Veseli: Është inkurajues veçanërisht fakti i fjalimeve që presidenti Barack Obama dhe nënpresidenti Joe Biden, që edhe mbrëmë i dhanë një përkushtim rolit amerikan në fushën ndërkombëtare, ku e gjeta edhe Kosovën në pjesën e proceseve të veta integruese. Po aq me bëri përshtypje një deklaratë shumë e mençur dhe kuptimplote e zotit Bond se edhe ne si vende që aspirojmë të jemi pjesë e integrimeve veri-atlantike, të kryejmë obligimet tona në mënyrë që të jemi sa më të gatshëm dhe më të përgatitur që të integrohemi në gjirin e familjeve të shteteve që janë perëndimore, demokratike dhe vende të zhvilluara, ku aspiron edhe Republika e Kosovës dhe qytetarët tanë në shumicë janë pjesë e këtij mendimi e këtij qëndrimi dhe më te drejtë na bëjnë presion edhe neve si politikanë t’i përmbushim këto qëndrime.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë pak tek situata politike në Kosovë. Ju keni thirrur një debat javën e ardhshme për shënimin e kufirit me Malin e Zi, që ishte një nga çështjet që çoi në krizën politike në vend. A mendoni se mund të arrihet njëfarë qëndrimi i përbashkët, i njëjtësuar për këtë çështje?

Kadri Veseli: Duhet të arrihet një qëndrim i njëjtësuar, i përbashkët. Ne jemi shtet i pavarur e sovran, kemi obligimet që kanë të bëjnë edhe më çështjen e demarkimit, përkatësisht shënimit të kufirit tonë. Ajo është një çështje me shumë rëndësi strategjike drejt forcimit të sovranitetit tonë, identitetit tonë shtetëror. Ne duhet të lëvizim në këtë proces. Në të njëjtën tonë çfarë do të bëjmë tash më 3 gusht, pastaj edhe pas 3 gushtit, do të rrisim konfidencën tek qytetarëve tanë se vendimmarrja jonë do të jetë në interes të qytetarëve. Që ne jemi të vendosur që asnjë metër katror e Republikës së Kosovës të mos tjetërsohet, por ajo që është kryesore, në të njëjtën kohë të mos ketë manipulime emocionale që kanë të bëjnë me një çështje që është me shumë rëndësi siç është territori i Republikës së Kosovës, që lidhet drejtpërdrejt me sovranitetin tonë shtetëror. Ne duhet të mendojmë që duhet ta përfundojmë çështjen e shënimit të kufijve me fqinjët tanë, aq më tepër me fqinjët siç është Mali i Zi, për arsye se ka qenë ndër vendet e para që na kanë njohur. Ne duhet t’i ruajmë këto raporte të mira me të gjithë fqinjët tanë, duhet ta forcojmë raportin me bashkësinë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë dëshiroj të theksoj se institucionet tona mençurisht do të vendosin shumë shpejt edhe për çështjen e shënimit të kufirit që do të jetë në interesat e qytetarëve tanë. Por, e ritheksoj edhe një fakt, Kosova anekënd, në pjesën më të madhe të territorit të saj, rrethohet nga shqiptarët që janë edhe shumicë e popullatës në Kosovë. Nuk është e ndershme dhe nuk është korrekte që të vihen në barrën tonë revidimet e çështjeve historike të cilat kanë qenë edhe padrejtësi të së kaluarës. Ne duhet të kthehemi nga e ardhmja. Ne duhet të kthehemi nga përmirësimi i jetës së qytetarëve tanë. Ne duhet të kthehemi nga politikat që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me jetën e qytetarëve tanë. Në të njëjtën kohë, ne duhet ta rrisim besimin tek njëri tjetri se e duam të gjithë shumë atdheun tonë dhe asnjëri nga ne nuk është i gatshëm me asnjë çmim të jap asnjë metër katror të territorit tonë. Këtë dua t’i sigurojë qytetarët tanë. Kjo do të jetë edhe pjesë e vendimmarrjes.

Zëri i Amerikës: Por, kjo çështje është e lidhur me diçka që ka shumë rëndësi për qytetarët e Kosovës, siç është liberalizimi i vizave. Opozita ka paralajmëruar se në qoftë se nuk ka pajtim, do ta bëjë të pamundur ratifikimin që në fakt do të çonte në të mira për qytetarët e Kosovë. Si mund të tejkalohet një situatë e tillë që siç thoni ju, sjell efekte pozitive për qytetarët?

Kadri Veseli: Më lejoni të dallojë menjëherë dy çështje që janë plotësisht të ndryshme. Çështja e liberalizimit është një çështje që është pretendimi ynë drejt Bashkimit Evropian dhe një e drejtë e jona për lëvizje të lirë drejt vendeve të BE-së, sepse jemi vendi i vetëm që nuk lëvizim lirshëm dhe pa të drejtë, I kemi plotësuar të gjitha kushtet teknike që edhe ne ta kemi këtë të drejtë dhe këtë mundësi. Por, çështja e territorit tonë nuk duhet të ngatërrohet me një çështje të lëvizjes së lirë. Është një çështje shumë e madhe në të cilën ne do të veprojmë me përgjegjshmëri qytetare, që territori ynë, ai i cili është, të mbrohet dhe të ruhet. Por, në të njëjtën kohë edhe njëherë e ritheksoj, ne do të marrim një vendim që do të jetë konform interesave të qytetarëve. Por, nuk është korrekte që askush sot në Kosovë të vë çështje kontestuese historike që nuk kanë qenë në gjeneratën tonë dhe të cilat ne nuk mund t’i ndërrojmë. Shpalljen e pavarësisë së Kosovës e kemi bërë brenda një kornize të caktuar dhe brenda një baze ligjore e cila ka qenë një kohë dhe një territori në të cilin kemi qenë në një të kaluar, deshëm apo s’deshëm.

Zëri i Amerikës: Të flasim pak për çështjen e bisedimeve me Serbinë që çuan po ashtu në krizën politike. Si mendoni t’i vazhdoni këto bisedime?

Kadri Veseli: Më lejoni të theksoj edhe njëherë çështjen e shënimit të kufirit. Qytetarët tanë duhet të jenë të sigurt dhe të besojnë në vendimmarrjen tonë se do të jetë në interesin e qytetarëve tanë dhe pronës së tyre dhe në interesa të atdheut tonë. Sa i përket çështjes së dialogut, Në do të vazhdojmë procesin e dialogut për arsye se është në interesin e Kosovës që të kemi raporte fqinjësore të mira. Por, ky dialog në të ardhmen duhet të zotërohet më shumë nga kosovarët. Ky dialog duhet të jetë më konkret veçanërisht në fushën e implementimit të shumë marrëveshjeve që nuk janë zbatuar dhe përmes të cilave, veçanërisht sot Republika e Serbisë po krijon avantazhe përmes një forme të presionit duke bllokuar shpeshherë implementimin e tyre në terren. Ne do të presim edhe në çështjen e asociacionit, pa u liruar ura në qytetin e Mitrovicës, pa u implementue marrëveshjet, ne nuk do të arrijmë marrëveshje tjera. Por, për të dialoguar, për të komunikuar, do të komunikojmë çdo ditë. Por, ajo që do të bëjmë në të ardhmen, do t’i intensifikojmë përpjekjet tona, do të dialogojmë në Bruksel me partnerët tanë ndërkombëtarë. Roli i SHBA-ve duhet të jetë i veçantë në këtë proces dhe nonstop prezent. Por, në të njëjtën kohë na duhen edhe rezultate konkrete dhe në terren, implementimi i tyre.

Zëri i Amerikës: Sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë nga çështjet kryesore që edhe partnerët ndërkombëtarë i theksojnë dhe ende mbeten të rëndësishme në Kosovë. Çfarë hapash po ndërmerren në këtë fushë?

Kadri Veseli: Ne si institucione të Republikës së Kosovës dhe edhe qytetarët, nuk mund ta nënvlerësojmë faktin se korrupsioni është një çështje problematike në Republikën tonë. Kemi bërë progres në shumë drejtime, por duhet të bëjmë shumë hapa të fuqishëm edhe në ndryshmet legjislative, po flas nga pjesa parlamentare. Në të njëjtën kohë të rrisim konfidencën në mes nesh në mënyrë që fenomenet negative që ndodhin, të raportohen në organet gjegjëse dhe njerëzit që kanë involvim të tillë të marrin dënimin e merituar. Por, jo vetëm të ngrihen aktakuza, por vërtetë të dënohen, Kjo është ajo pjesa e kritikave që marrim si institucione. Kemi një iniciativë shumë të mirë të presidentit për ndryshimin e Kodit Penal. Në të njëjtën kohë kemi një përkushtim shumë të fuqishëm të gjithë ne, që së bashku me të gjithë faktorët që janë, duke mos intereferuar në organet gjyqësore, të kemi rezultate më konkrete dhe më të prekshme, në mënyrë që të rrisim besimin e qytetarëve ndaj nesh, për arsye se, më lejoni të theksoj, Kosova është “sui generis”, nuk e kemi luksin e mediokritetit që të krijojmë situata në të cilat ne mund të jemi të lënduar, qoftë kur flasim për korrupsionin, qoftë kur flasim për ekstremizmin e dhunshëm. Në çdo rrethanë, ne duhet të bëjmë edhe më shumë se vendet e rajonit, në mënyrë që të dëshmojmë se ajo përkrahje që ka qenë për neve, ka qenë përkrahje reale, e drejtë dhe kosovarët do ta dëshmojnë se kanë pasur të drejtë dhe janë dinjitoz ta gëzojnë lirinë dhe do ta zhvillojnë perspektivën në normat e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Gjykuar nga zhvillimet brenda parlamentit dhe krizës politike në vend, a mund të pritet që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Kadri Veseli: Zgjedhjet janë çështje kushtetuese që janë të rregulluar në fakt me afate ligjore. Më 2018-tën kemi zgjedhje. Por, në të njëjtën kohë, nuk mund ta përjashtojmë faktin e partnerëve politikë. Deri tani kemi një koalicion që ka një stabilitet solid. Por, në të njëjtën kohë, ne si koalicion jemi bërë bashkë që të kemi përkushtimin tonë ndaj përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë. Ne do të punojmë bashkërisht në vazhdimin e këtij koalicioni në mënyrë që të arrijmë atë pritshmëri që e kanë qytetarët tanë. Por, në të njëjtën kohë, jemi pjesë e një politike, një marrëveshjeje, e çdo vendimmarrje që është demokratike është e pranueshme për të gjithë ne.