Është vetëdorëzuar mbrëmjen e sotme në Policinë e Tiranës Odhise Andrea, bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej gjashtë muajsh.

Sëbashku me bashkëshorten e tij, e pezulluar nga detyra si gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, ata akuzohen nga prokuroria për korrupsion.

Ndaj Odhise Adreas ishte vendosur masa “arrest me burg” në mungesë.

Majlinda Andrea akuzohet nga prokuroria se kanë marrë rryshfet për njohjen 40 hektarëve tokë në Butrint.

Sipas akuzës, në këtë skemë ishin përfshirë edhe bashkëshorti i saj Odhise Andrea, me detyrë Këshilltar në Komisionin e Sigurisë në Parlament dhe tre persona të tjerë; Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino të cilët ndodhen në burg. Ndërsa bashkëshorti i gjyqtares arriti t’i shpëtonte arrestimit.

Sipas hetimeve të prokurorisë, procesin që do të shyrtohej nga gjyqtarja Majlinda Andrea ishin Ilia Çabiri dhe Eleni Lino nga Saranda, ndërsa Petraq Dashi kishte rolin e sekserit. Ky i fundit dyshohet se i ka dhënë shumën e parave bashkëshortit të gjyqtares, Odhise Andrea.

Sipas Prokurorisë, një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12.07.2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim, në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

Aktualisht, gjyqi për personat e dyshuar si të pëfshirë në këtë aferë korruptive po zhvillohet në Gjykatën e Lartë./tvklan.al