Vetëm tre nga shtatë kandidatë për Kryeprokuror të përkohshëm kanë përmbushur kriteret ligjore  për t’u ulur në karrigen e lënë bosh nga Adriatik Llalla.

Pas dokumentacionit të sjellë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Autoriteti i Dosjeve, Komisioni i Ligjeve në raportin që do t’i përcjellë për votim kuvendit veçoi vetëm emrat e Arta Markut, Ferdinand Elezit dhe Ermira Tafanit si kandidatë që plotësojnë kriteret.

Besnik Muçi nuk përmbushte kushtin e vjetërsisë si prokuror, Arqile Koça nuk kishte gradë shkencore në drejtësi,  Artur Selamani plotësonte pjesërisht kriteret ligjore për integritetin moral e profesional, pasi rezultonte me masë disiplinore, ndërsa kandidati tjetër Granit Shahu krahas mos përmbushjes së kushtit për vjetërsinë në punë nuk plotësonte as kriteret ligjore për integritetin moral e profesional.

Bledar Çuçi:

“Komisioni i përcjell këtë raport kuvendit me të dhënat për secilin nga kandidatët”.

Seanca për zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm do të jetë në 18 Dhjetor. Votimi do të jetë me shumicë të thjeshtë dhe fitues do të zgjidhet kandidati që do të marrë më shumë vota.

Tv Klan