Shkon në tre numri i personave të ndaluar, në lidhje me ngjarjen e datës 7 tetor, kur në fshatin Kollagjesh të Shëngjergjit, u gjet sipas policisë, i vetëvrarë me armë zjarri i riu Besnik Pudja.

Komisariati i Policisë Nr 4, arrestoi 37-vjecarin nga Tirana, Halit Dusha. Ai ishte i shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka pasur dijeni për vetëvrasjen e Besnik Pudjes dhe në bashkëpunim me të dhe disa shtetas të tjerë janë autorë të dyshuar për kultivimin e rreth 2889 bimëve kanabis, në fshatin Urë.

Më herët u vunë në pranga Alges Liçi dhe Dritan Buzo, që akuzohen se nuk denoncuan ngjarjen në polici.

Ata kanë dalë këtë të shtunë para Gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Me kërkesë të prokurorisë, dy të rinjtë do të qëndrojnë në qeli, për akuzën e “moskallëzim krimit” dhe “kultivimit të lëndëve narkotike”.

Para gjykatës, të dyshuarit kanë mbajtur të njëjtin qëndrim, se shoku i tyre Besnik Pudja ka vrarë vetën. Ata i kanë thënë gjykatës, se viktima luante me pistoletë në dorë çdo ditë dhe në momentin që është vrarë ka qenë vetëm. Ata kanë pranuar se viktima i kishte punësuar për të ndërtuar kapanonët e tharrjes së bimëve narkotike.

Policia ka gjetur në kapanon vetëm disa bimë kanabis duke krijuar dyshimet se lënda narkotike është larguar nga aty pas vrasjes së Besnik Pudjes.

I arrestuari i fundit do të merret në pyetje për të zbardhur detaje të reja për gjetjen e trupit të pajetë të Besnik Pudjas, i vrarë me një plumb në kokë.