MB LETERPas akuzave të Partisë Demokratike mbi numrin në rritje të vetëvrasjeve për shkak të largimeve nga puna, Ministria e Brendshme i ka tërhequr vëmendje të gjitha drejtorive të policive lidhur me procedurat e ndjekura në raste të tilla.

Në një shkresë drejtuar të gjitha komisariateve, Ministria e Brendshme bën me dije se për disa raste vetëvrasjesh ka pasur ankesa nga familjarët të cilët hedhin dyshime se shkaktimi i vetvrasjes mund të ketë ardhur si pasojë e trajtimit të keq sistematik ose nga sjellje të tjera që kanë prekur rëndë dinjitetin,të kryera nga personi që e ka në vartësi materiale apo cfarëdo lloj vartësie tjetër.

Për këtë Ministria e Brendshme kërkon nga të gjitha drejtoritë e qarqeve rritjen e profesionalizmit në marrjen e deklarimeve ndërsa për çdo rast vetëvrasjeje të bëhen verifikime të detajuara në lidhje me viktimën.

Ministria e Brendshme kërkon nga oficerët e policisë që të verifikohen dhe të gjitha pretendimet që ngrihen nga familjarët lidhur me motivin e vetevrasjes ndërsa për çdo rast familjarët duhet të informohen në lidhje me ecurinë e hetimit.

Në këtë pikë kërkohet dhe rritja e bashkëpunimit me prokurorinë kur për raste ankesash nga të afërmit të bëhen analiza të veçanta.

Vetëvrasjet përbëjnë një fenomen në rritje kudo në botë si edhe në vendin tonë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ky fenomen është rritur me 60% në mbarë botën gjatë 45 viteve të fundit.

Rreth 3000 njerëz kryejnë vetëvrasje brenda një dite në mbarë botën dhe për çdo vetëvrasje të kryer, rreth 20 të tjerë mund të tentojnë t’i japin fund jetës.

Po sipas OBSH, çdo vit, rreth 1 milion njerëz vdesin nga vetëvrasja e cila është ndër 3 shkaqet kryesore të vdekjes për grupmoshën 15 – 44 vjeç në disa vende dhe shkaku i dytë i vdekjeve për grupmoshën 10 – 24 vjeç.

TV KLAN