Përmes një votimi të fshehtë elektronik, Komisioni ad-hoc me 6 anëtarë votoi mes 34 kandidatëve në garë 7 anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, një nga tre organet që do të bëjë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shorti  u hodh në prani të dy ambasadorëve, atij të Shteteve të Bashkuara Donald Lu dhe asaj të BE-së, Romana Vlahutin.

Shtatë kandidatët fitues janë Ardian Hajdari, Natasha Mulaj, Sokol Çomo, ish-kryeprokurorja Ina Rama, Luan Daci, Albana Shtylla dhe Rezarta Schutz. Dy zëvendësuesit gjyqtarë në këtë kolegj, u zgjodhën Mimoza Tasi dhe Etleva Papleka. Gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit  kanë një mandat 9-vjeçar.

Ndërkaq të enjten do të mblidhet një tjetër komision ad-hoc që do të votojë anëtarët e komisionit të posaçëm të kualifikimit dhe komisionerët publikë.

Brenda 10 ditëve nga përfundimi i këtij procesi, parlamenti do të miratojë në bllok me 84 vota listën e kandidatëve të shpallur fitues, të cilët do të bëjnë vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. TV KLAN