Demokratët do të jenë të pranishëm në seancën e jashtëzakonshme të pasdites, por vetëm për të mbrojtur amendamentet e propozuara prej tyre për projektligjin për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nëse propozimet e tyre do të rrëzohen, opozita nuk do të marrë pjesë në votim.

Vendimi është marrë në mbledhjen e grupit parlamentar gjatë paradites.

Burime nga Partia Demokratike, thanë se Kryetari Basha e ka bërë të qartë se PD është e vendosur për largimin e gjyqtarëve të korruptuar, por sipas tij përmes një procesi ligjor dhe jo politik, siç pretendon ai që është përcaktuar në draftin aktual që demokratët e cilësojnë si antikushtetues.

Sipas Bashës, projektligji për Vetting-un është në shkelje flagrante të ndryshimeve kushtetuese të 22 Korrikut, pasi ai synon që të vendosë nën kontrollin e kryeministrit gjyqësorin dhe Prokurorinë, dhe për ta ndaluar këtë, kryetari i PD i’u ka komunikuar të zgjedhurve demokratë se do ndjekin të gjitha rrugët legjislative dhe kushtetuese.

Qëndrimi i selisë blu u bë i qartë që në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar, ku përfaqësuesit e kësaj force votuan në parim për projekligjin, por nuk morën pjesë në votimin në tërësi.

Tv Klan