Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Vetting-ut, të miratuar me votat e shumicës me 30 Gusht.

Në kërkesë-padi demokratët kërkojnë pezullimin dhe shpalljen e tij si antikushtetues. Për opozitën, dy janë problemet kryesore të këtij ligji: Ai bie ndesh me ndryshimet e ligjit themeltar të miratuara me konsensus dhe tenton të vërë nën kontrollin e kryeministrit drejtësinë, duke cënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë parimin e ndarjes së pushteteve.

 “Kjo nuk është vetëm shkelje e Kushtetutës, është një krim kushtetues, njëqind përqind në kundërshtim me standartet. Me konsensus të plotë parlamenti miratoi një Vetting i cili do të luftojë korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe më pas kjo do të çojë në luftën ndaj korrupsionit në qeveri. Kushtetuta për të bërë këtë ngriti institucione të pavarura kushtetuese. Do të jenë ato që duhet sipas Kushtetutës të bëjnë Vetting-un e  gjyqtarëve. Në thyerje të plotë të Kushtetutës, të konsensusit politik që ngriti këto organe me kontributin e drejtëprdrejtë të zonjës Nuland dhe zotit Hahn u ngritën këto institucione, por Edi Ramës nuk i duhet kjo. Me ligjin e Vetting-ut, duke shkelur Kushtetutën, ai kërkon që kontrollin e gjyqtarëve, Vetting-un ta bëjnë zyrtarë të lartë të PS. Ta bëjë Alket Hyseni që është garant i Kushtetutës të PS dhe e dimë shumë mirë se çfarë ndodh atje, ta bëjë Arben Seferi zyrtar tjetër i lartë i PS. Me levat dhe instrumentat e tij të jetë ai që të kontrollojë gjyqtarët, të vendosë kush gjyqtar dhe prokuror të iki dhe më pas të caktojë ai gjyqtarët dhe prokurorët që do të hetojnë këtë Kryeministër të korruptuar për korrupsion.”

Ligji i Vetting-ut – thuhet në relacionin e opozitës – “

Ka asgjësuar thelbin dhe frymën e dispozitave kushtetuese, sepse kontrollin dhe hetimin në procesin e rivlerësimit e ka zhvendosur nga organet e krijuara posaçërisht dhe të konceptuara si organe të pavarura si (Komisionerët Publikë, KPK dhe Kolegji i Apelimit), tek organet ekzistuese, jo kushtetuese, të pareformuara dhe të kontrolluara nga qeveria, siç janë ILDKPKI, DSIK, Shkolla e Magjistraturës, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Ministria e Brendshme.”

Ky ndryshim, sipas opozitës, përbën cënim të kompetencës kushtetuese të organeve të rivlerësimit si dhe një rrezik potencial që mazhoranca aktuale të perfitojë politikisht nga procesi, duke cënuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Së dyti, sipas opozitës,

“Organet e reja të Vetting-ut vendosen nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e qeverisë,  sepse telekomunikimet dhe të ardhurat financiare të anëtarëve të tyre kontrollohen në mënyrë periodike nga agjenci në varësi të qeverisë, si Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.”

Nga mënyra sesi është konceptuar procesi i vlerësimit, thonë demokratët, ligji krijon një pseudoproces të rivlerësimit, i cili dhunon haptazi elementët dhe standardet thelbësore kushtetuese. Veçanërisht, procesi dhe standardet e kontrollit të figurës cënojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky ligj, thuhet me tej në relacion,

“Dhunon standardin kushtetues për të mos deklaruar fajtor dikë mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme, duke lënë hapësirë për subjektivizëm dhe selektivitet në procesin e Vetting-ut.”

Një tjetër çështje e kundërshtuar me forcë nga Partia Demokratike ka të bëjë me faktin se ligji i Vetting-ut 

“Dhunon parimin e sigurisë juridike sepse teksti i normave të tij është i paqartë, konfuz dhe në raste të caktuara edhe kontradiktor. Ligji krijon mundësi që në praktikë të ketë ngërç institucional, zvarritje të procesit, konflikte kompetencash, ndjekje të praktikave jo uniforme dhe pengesa të tjera, që do të minojnë thelbin e procesit të rivlerësimit.”

Për Vetting-un demokratët depozituan një sërë amendamentesh, të cilat nuk u pranuan nga shumica dhe ekspertët e OPDAT-it e EURALIUS-it.

Gjykatës Kushtetuese, opozita i kërkon që para se të vendosë për Vetting-un, t’i drejtohet për mendim edhe Komisionit të Venecias.

Tv Klan