Tre persona janë arrestuar nga policia e Durrësit, duke parandaluar trafikimin e dy femrave drejt Italisë për t’i shfrytëzuar për prostitucion. Policia bën me dije se në pranga ranë Fitim Dumani 29 vjeç, Reinaldo Greca 28 vjeç dhe Denis Shaba 28 vjeç.

Nga veprimet hetimore të kryera për rreth 2 muaj u dokumentua me prova ligjore se Denis Shaba gjente dhe shfrytëzonte me qëllim prostitucioni femra, ndërsa Fitim Dumani dhe Reinaldo Greca kishin si qëllim trafikimin e tyre në shtetet fqinjë.

Aktiviteti kriminal kryhej zakonisht në Zonën e Plazhit, ku shtetasit e mësipërm në rolin e ndërmjetësve dhe tutorëve gjenin klientët, kundrejt pagesës 100- 300 €.

Policia ka ndërhyrë dhe ka kapur në flagrancë Fitim Dumanin dhe Reinaldo Greca, në PKK Durrës, në momentin për t’u larguar për në Itali, për të trafikuar dy femra me inicialet K.B. 18 vjeç dhe K.L. 19 vjeç.

Shtetaset K.B. dhe K.L. janë viktima të trafikut dhe janë akomoduar në një qendër sociale.

Vijon puna për zbulimin dhe dokumentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal dhe personave të përfshirë në këtë veprimtari që i prisnin viktimat në shtetin fqinj.

/tvklan.al