Mbi 700 kg kokainë e pastër u sekuestrua gjatë një operacioni të përbashkët të policive në Spanjë e Portugali. Në pranga ranë 9 persona pjesëtarë të një rrjeti të gjerë trafikantësh që transportonin drogë nga Amerika Latine.

Për t’iu shmangur kontrolleve, trafikantët kishin fshehur 745 kg kokainë në kontenierë me ananasë. Droga ishte paketuar në formë cilindrike dhe ishte mbështjellë me lëkura ananasi. Lënda narkotike ishte ngarkuar në Panama dhe mbërrinte në Europë përmes portit të Lisbonës.

Destinacioni përfundimtar ishte Barcelona e Madridi, ku kokaina përpunohej në një laborator që u sekuestrua gjatë operacionit. Hetuesit thanë se grupi ishte nën hetim prej prillit të vitit 2017. Kamufilmi i drogës përmes kontenierëve me fruta është një taktikë e përdorur gjerësisht nga trafikantët europianë që furnizohen në tregjet e Amerikës Latine.

Tv Klan