Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e së shtunës ku një vajzë ka ndërruar jetë dhe 3 të tjerë janë plagosur. Mësohet se anëtarët e së njëjtës familje ishin duke udhëtuar drejt Beratit, por një trajler i ngarkuar me mermer ka rrëshqitur dhe për pasojë një nga pllakat e mermerit ka rënë mbi automjet. Dëshmitarë nga vendngjarja tregojnë për tvklan.al se në makinë udhëtonin 4 persona të së njëjtës familje. Mësohet se të plagosurit janë dërguar në spital, por Erinolda Isufaj, 24 vjeç nuk ka mundur dot të shpëtonte. 

Me ndihmën e policisë dhe të zjarrfikëses personat u nxorren nga makina.

Njoftimi i policisë :

Në datën 11.11.2017, rreth orës 12.45, në autostradë, në fshatin Çiflig, Lushnje, nga një mjet tip kamion me targë AA 667 MP me drejtues shtetasin B.P, 41 vjeç, banues në Fushë Krujë, që transporton gur mermeri, ka rënë një gur i madh dhe ka zënë poshtë një mjet autoveturë tip “Pezho” me targë AA 862 SF që drejtohej nga shtetasi M.I, 29 vjeç, banues në Tiranë i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal Lushnje.

Brenda autoveturës ndodheshin edhe 3  persona nga të cilët ka ndërruar jetë shtetasja E.I, 24 vjeçe. Ndërsa shtetasit Sh.I, 52 vjeç dhe V.I, 50 vjeçe nuk kanë pësuar dëmtime, të katërt banues në Tiranë.

Është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lushnje drejtuesi i mjetit tip kamion shtetasi B.P dhe po kryen veprimet proceduriale. Po kryen veprimet nga grupi hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarje.

/tvklan.al