Policia e Durrësit ka arrestuar tre persona, dy prej të cilëve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe një në kërkim kombëtar.

Në prangat e policisë ka rënë Indrit Driza, 45 vjeç, nga Shijaku. Për të kishte një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Cantezaro në Itali për trafikim të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim. Urdhër arresti për Drizën ishte lëshuar që në vitin 2005.

E njëjta gjykatë në po të njëjtin vit kishte lëshuar një urdhër arresti për shfrytëzim prostitucioni, shfrytëzim të të miturve dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale për Eduart Bukmishin, 55 vjeç nga Sukthi.

Ata ishin shpallur në kërkim nga Interpol Tirana më datë 10 Tetor 2017.

Personi i arrestuar që ishte shpallur në kërkim kombëtar është Ernest Shutina, 25 vjeç, nga fshati Shënvlash i Durrësit. Ai është dënuar nga Gjykata e Durrësit me 3 vjet e 4 muaj burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.  

Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

/tvklan.al