Në një rrëfim ndryshe nga herët e tjera, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ndarë me publikun historinë e jetës së tij; që nga largimi drejt Holandës për studime universitare, rikthimi në Shqipëri dhe martesa me bashkëshorten e tij Aurelën.

I ftuar tek “Rudina” në Tv Klan, Lulzim Basha ka treguar hap pas hapi momentet e para kur u largua nga Shqipëria në vitet ’90 për të studiuar në Holandë.

Në atë kohë, ai thotë se kishte dy mundësi për të zgjedhur. E para të shkonte në universitetin amerikan në Sofje të Bullgarisë apo të zgjidhte Holandën, sikurse dhe ndodhi.

“Nuk ka dyshim që më është dhënë mundësia, fati më ka ndihmuar shumë herë, Zoti më ka ndihmuar shumë herë, por dy janë mundësitë që definojnë pjesën nga adoleshent tek ardhja dhe futja në politikë aktive. E para hapja e Shqipërisë, në vitet ’90 pas ndryshimeve Shqipëria u hap dhe unë pata mundësinë të studioj në një vend të avancuar të Europës siç është Mbretëria e Vendeve të Ulëta, Holanda që i themi, në një nga universitetet më të mira të Europës dhe të botës.

Kisha një zgjedhje, midis këtij universitetit dhe universitetit amerikan në Sofje, dhe zgjodha një universitet dhe një ambient evropian. Pra ishin dy mundësi që m’u ofruan, m’u ofrua një mundësi për një bursë 1-vjeçare faktikisht, e cila pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të vitit të parë ’93-’94, u konvertua në një mbështetje më afatgjatë, jo të plotë. Mu desh edhe të punoja, vitin e dytë kam filluar punën part-time, punoja mbasdite dhe vetëfinancoja një pjesë të mirë të studimeve të mia deri në përfundimin e tyre.

Unë mbarova studimet në një kohë lëvizjesh të mëdha për Shqipërinë dhe për Ballkanin. Shqipëria sapo kishte kaluar shokun e vitit 1997. Kur isha student në Holandë, imagjinoni të kaloni nga Shqipëria e viteve ’90 në Holandë ishte shok. Ambientimi me kulturën erdhi dhe me një realizim të madh, me një vetëdijësim. U vetëdijësova se unë, por jo vetëm unë, se nuk na mungonte asgjë, as ambicia, as përgatitja, as etika morale për të performuar dhe për të krijuar përmes punës tonë të njëjtat rrethana për familjen tonë, për veten tonë, siç bënin dhe holandezët. Dhe kisha shpresa dhe projekte të mëdha, për veten time dhe për Shqipërinë”,

u shpreh Lulzim Basha.

Kryetari i demokratëve foli edhe për njohjen me bashkëshorten e tij Aurelën, ku u takuan për herë të parë, martesa e tyre dhe krijimi i familjes.

“Jemi njohur në Tiranë, në gjimnazin “Sami Frashëri” ku studionim të dy. Njohja është e hershme, lidhja është e mëvonshme. Kemi studiuar të dy në Holandë. Aurela ka studiuar shkenca politike, unë studioja juridik. Aurela është marrë me politikën para meje sepse punonte dhe punon si drejtoreshë programesh në një institut të marrëdhënieve parlamentare me bazë në Holandë dhe i është kërkuar nga partia që aktualisht është në pushtet para shumë kohësh, e pyetën nëse ishte e interesuar të garonte për eurodeputete të Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci. Ajo e njihte pasionin tim për Shqipërinë dhe ishte e qartë që të dy nuk mund të kishim angazhim politik”

, tha Basha.

/tvklan.al