Një peshkatar kreu një ndërhyrje cezariane në trupin e një peshkaqeni të ngordhur dhe nxori prej tij plot 98 peshkaqenë të vegjël, të gjallë.

Mathew Orlov vendosi të kryente operacionin kur kuptoi se grabitqari ishte shtatzënë. Ai tha se e dinte që diçka nuk shkonte kur e nxori krijesën 2.7 metra të gjatë nga ujërat e Barwon Heads në Victoria të Australisë.

Peshkatari shpjegoi se kur e kishte nxjerrë nga uji peshkaqeni kishte qenë i ngordhur, me gjasë pasi ishte sulmuar nga një tjetër grabitqar.

Por ai kishte vënë re se barku lëvizte dhe për këtë arsye kishte vendosur që ta çante. Në një video të postuar në internet shihet pikërisht momenti kur 46-vjeçari nxjerr 98 peshkaqenët e vegjël nga barku i nënës së tyre dhe më pas i hedh në ujë.

Pavarësisht xhestit të tij, ekspertët i druhen faktit se të vegjlit nuk do të mund të mbijetojnë në det.

/tvklan.al